Vendimi i Gjykatës së Gostivarit dërgoi një sinjal shumë të keq për lirinë e shprehjes, alarmoi SHGM-ja

Në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore Penale në Gostivar të datës 12 janar, ka reaguar Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), duke e vlerësuar si një sinjal shumë të keq për lirinë e shprehjes në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“SHGM vlerëson se ky aktgjykim i shkallës së parë dërgon një sinjal shumë të keq për lirinë e shprehjes në vend. Ndjekja penale e gazetarëve për publikimin e emrit dhe mbiemrit të personave publikë, veçanërisht të gjyqtarëve, rrit presionin mbi gazetarinë dhe të drejtën e publikut për t’u informuar”, raportoi SHGM-ja.

Ata vlerësojnë se dënimi i Liridona Vejselit për “keqpërdorim të të dhënave personale” nga është një vendim problematik i shkallës së parë për lirinë e shprehjes.

“Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shpreh shqetësim serioz për shkak të aktgjykimit të miratuar më 12.01.2026, në dëm të Liridona Vejselit. Sipas arsyetimit të gjykatës, Vejseli akuzohet për “Keqpërdorim të të dhënave personale” nga neni 149 paragrafi 1 i Kodit Penal, për shkak se në Instagram dhe TikTok ka publikuar të dhëna personale – emrin dhe mbiemrin e një gjyqtari”, reaguan nga SHGM-ja, duke theksuar se i është ofruar ndihmë juridike Vejselit, duke kërkuar korrigjimin e aktgjykimit nga gjykatat më të larta.