Vendimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga seanca e 186-të

Ulja e çmimeve për produktet ushqimore për 10 përqind, është një nga vendimet e marra në seancën e 186-të të mbajtur sot nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Në këtë seancë u plotësua vendimi për ndalesën e çmimeve të shitjes në aksion dhe promovim. Ky vendim do të hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Qeveria miratoi propozimin që të përpunohet Strategjia Nacionale për siguri në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për këtë qëllim ka formuar Komiteti Drejtues për koordinim dhe përpunim të Strategjisë Nacionale për siguri në RMV, ku do të përfshihen edhe përfaqësuesit e Qeverisë dhe Presidencës.

Në seancën e 186-të u shqyrtua edhe teksti i Propozim-ligjit për amnisti, me vendim që të harmonizohet me institucionet përkatëse. Ky propozim-ligji ishte dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë.

U detyrua Këshilli i Inspektoratit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që urgjentisht të marrë masa për zgjidhjen e statusit të inspektorëve tatimor komunal. Qeveria theksoi që ky problem që ka filluar nga viti 2019-të, duhet të zgjidhet duke i furnizuar insepktorët me licenca pune në bazë të Ligjit për kontrolle inspektuese.