Vendimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në lidhje me mediat, shkarkimin e një drejtori dhe çështje tjera

Në seancën e 9-të të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që u zhvillua sot, ndër të tjera u miratua edhe teksti i propozuar për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media, transmeton Portalb.mk.

Ndër qëllimet kryesore të ndryshimeve dhe plotësimeve është mbështetja e gazetave nacionale të cilat kanë probleme serioze me shpenzimet e larta të shtypjes dhe shpërndarjes, si pasojë e çmimit të lartë të letrës dhe rritjes së çmimeve të derivateve”, sqaroi Qeveria.

Ky propozim-ligj që do të dërgohet për miratim në Kuvendin e RMV-së, planifikon zgjidhje sistematike në vend të Programit për mbështetjen e mediave të shkruara që ka qenë deri më tani.

Qeveria në mbledhjen e sotme solli edhe vendimin që të shpallë të asgjësuar vendimet të cilat, sipas informatës së zëvendësministres plotësuese për Punë dhe Politikë Sociale, janë miratuar në mënyrë të njëanshme, përkatësisht vetëm nga ministri i Punës dhe Politikës Sociale”, në lidhje me shkarkimin e drejtorit të IP “Qendrës për Punë Sociale në Koçani dhe emërimin e drejtorit të ri për ushtrues detyre.

Në këtë seancë u miratua vendimi për themelimin e Komitetit drejtues për zbatimin e mbështetjes së RMV-së si vend nikoqir në rast se partnerët e NATO-s do të ketë ndonjë nevojë gjatë kryerjes së operacioneve në Maqedoninë e Veriut.

“Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi informacionin e Ministrisë së Mbrojtjes për nevojën e dhënies së një kontrate qeveri-me-qeveri për furnizimin e sistemeve të lëvizshme për luftime kundër blindave, me lidhjen e një marrëveshjeje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, njoftoi Qeveria, si një vendim drejt modernizimit të Armatës. Këto pajisje do të jenë në shërbim të këmbësorisë së grupit të batalionit të lehtë të këmbësorisë.