Velesi definitivisht nuk jep leje për shtypje dhe bluarje të zgjyrës, deponia mbetet kërcënim për qytetin

Komuna e Velesit zyrtarisht ka marrë vendim që të mos e vazhdojë lejen B të integruar të kompanisë “Caps Mont Group”, e cila është dashur të eksportojë zgjyrën nga deponia e shkritores si lëndë e parë minerale teknogjene, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Komuna konfirmoi se zgjidhja që do t’i dorëzohet koncesionarit tashmë është duke u përgatitur dhe arsyeja e refuzimit do të jenë dy aktivitetet shtesë që ai ka kërkuar, shtypja dhe bluarja e mbeturinave, në të njëjtin vend ku është deponia.

“U mor vendim për rrëzimin e kërkesës për marrjen e lejes mjedisore B të Integruar për shfrytëzimin e lëndëve të para minerale me instalimin e impiantit për operacione shtesë bluarjeje dhe shtypje në kantierin Bash Kolibi. Komuna është në proces të hartimit të vendimit për refuzimin e kërkesës së kryetarit. Shkak për refuzimin e kërkesës janë dy operacionet shtesë të shtypjes dhe bluarjes”, njoftuan nga Komuna e Velesit.

Nëse koncesionari dëshiron të vazhdojë punën, me siguri do t’i duhet t’i rikthehet aktiviteteve që i lejoheshin me lejen e vjetër. Nga Komuna thonë se për këtë do të duhet të paraqesë kërkesë të re për vazhdimin e lejes.

“Nëse parashtruesi paraqet kërkesë për operacionet që janë përcaktuar në lejen e mëparshme, është e nevojshme që fillimisht të shqyrtohet kërkesa e re, dhe më pas të zbatohet procedura për dhënien e lejes mjedisore B të integruar. Nëse më pas plotëson kushtet dhe masat e kërkesës, mund t’i lëshohet leje mjedisore B e integruar”, thekson komuna.

Kompania “Caps Mont Group” ka koncesion nga Ministria e Ekonomisë që vlen deri në vitin 2026. Nëse nuk e ka lejen e integruar B, nuk mund të punojë për pastrimin e deponisë së zgjryës. Leja e parë, e cila është lëshuar nga Komuna e Velesit në vitin 2019, ka skaduar vitin e kaluar në tetor, dhe procesi për marrjen e një të reje ka disa muaj që po vazhdon. Nisja e procedurës së re, nëse koncesionari vendos të qëndrojë dhe të punojë me aktivitetet fillestare për të cilat ka qenë e vlefshme leja e mëparshme, do të zgjasë edhe disa muaj, gjë që do të shkurtojë më tej kohën e mbetur deri në përfundimin e koncesionit.

Nga kompania thonë se aktualisht janë në pritje të një vendimi nga Komuna e Velesit, pas së cilës do të informohen për aktivitetet e tyre të radhës. Nga aty bënë me dije se tashmë kanë nënshkruar kontrata me dy shkritore në Korenë e Jugut dhe Shqipëri dhe se janë në pritje të lejes për të nisur eksportin.

Deponia me zgjyrë e ish shkritores në Veles është pika e dytë më e nxehtë me mbeturina historike në vend, menjëherë pas OHIS-it të Shkupit. Vlerësohet se ka rreth dy milionë tonë skorje, një pjesë e madhe e së cilës janë mbetjet e metaleve të përpunuara në shkritore dhe përmban rreth 10 përqind zink, një përqind plumb si dhe metale të tjera të rrezikshme si kadmiumi, bakri, arseni, indiumi, taliumi.

Afërsia me zonat e banuara dhe gjendja në të cilën ndodhet, në ambient të hapur dhe pa asnjë mbrojtje, janë kërcënim i rrezikshëm për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Sipas hulumtimit të profesor Trajçe Stafilovit, si pasojë e lëvizjes së pakontrolluar të këtij pluhuri në ajër, tokat ndoten shumë intensivisht. Në një sipërfaqe prej 30 kilometrash katrorë, ndotja kritike me metale të rënda është përcaktuar në pothuajse shtatë kilometra katrorë.