Ageler dhe Varheji uruan Qeverinë e re: Presim vazhdimin e partneritetit në forcimin e shtetit ligjor

Ambasadorja amerikane në vend Angela Ageler dhe Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varheji kanë dërguar në rrjetin social X urime për formimin e qeverisë së re, transmeton Portalb.mk.

“Ndërsa kryeministri dhe kabineti i tij marrin detyrën, ne presim me padurim të vazhdojmë partneritetin tonë në forcimin e shtetit ligjor, përmirësimin e zhvillimit ekonomik, energjetik dhe infrastrukturor, strukturave sociale dhe çuarjen përpara të vendit në rrugën e tij euroatlantike”, thuhet në mesazhin e Agelerit.


Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varheji poashtu ka uruar zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut. Përmes postimit në platformën sociale “X” i ka dërguar urime kryeministrit Hristijan Mickoski dhe anëtarëve të Qeverisë së re të vendit

“Me padurim pres të punoj shpejt me ju për të avancuar rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian”, shtoi Varheji në urimin e tij.

Me 77 vota “për” dhe 22 vota “kundër”, Kuvendi zgjodhi mbrëmë Qeverinë e re, kryetar i së cilës është Hristijan Mickoski. Koalicioni qeveritar përbëhet nga VMRO-DPMNE, koalicioni “VLEN” dhe ZNAM.

Në votimin e mbrëmshëm “kundër” Qeverisë së re u deklaruan deputetët e LSDM-së dhe të Majtës, ndërsa deputetët e koalicionit “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI-ja e lanë seancën para përfundimit të saj.

Hristijan Mickoski e mori mandatin për të formuar qeverinë e re pasi partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare në maj të këtij viti dhe fitoi 58 ulëse në Kuvend.