Varheji: Qëllimi është që në tetor të zhvillohen konferenca ndërqeveritare me Serbinë, Shqipërinë, ndoshta dhe me RMV-në

Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varheji, dje, duke folur për rëndësinë e zgjerimit të BE-së, tha se synimi është që në tetor të këtij viti të mbahen konferenca ndërqeveritare me Serbinë, Shqipërinë dhe ndoshta Maqedoninë e Veriut, transmeton media serbe “Politika”, transmeton Portalb.mk.

“Me Serbinë dhe Shqipërinë, ndoshta edhe me Maqedoninë e Veriut, synimi ynë është të mbajmë konferenca ndërqeveritare gjatë muajit të ardhshëm”, tha komisioneri evropian Varheji.

Në konferencën ndërparlamentare për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Budapest, Varheji tha se BE-ja duhet të vazhdojë negociatat me Serbinë dhe të hapë Klasterin 3, i cili ka të bëjë me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse. Në të njëjtën kohë, ai i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të avancojnë në dialogun që zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Duke iu referuar rezultateve të Komisionit Evropian në lidhje me politikën e zgjerimit, Varheji vuri në dukje Planin e Zhvillimit të miratuar së fundmi për Ballkanin Perëndimor. Ai shtoi se Plani i Rritjes duhet të përshpejtojë proceset e reformave në Ballkanin Perëndimor dhe vuri në dukje se të gjithë partnerët kanë paraqitur agjenda reformash që përshkruajnë se si dhe kur do të përfundojnë reformat e nevojshme për hyrjen në BE.

Ai theksoi se politika e zgjerimit është prioriteti kryesor i BE-së dhe se nuk është më çështja nëse, por kur do të ketë zgjerim. Varheji shtoi se zgjerimi do të mbetet në krye të agjendës politike sepse, siç tha ai, projekti evropian nuk do të përfundojë “pa bashkimin e miqve nga Ballkani dhe Lindja”.

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në merita dhe kriteret e Kopenhagës.

“Është e qartë se anëtarësimi në BE varet nga progresi që bën çdo vend, duke filluar me reformat themelore, që është një parim me rëndësi të madhe për vendet tona anëtare. Prandaj, kandidatët dhe kandidatët e mundshëm duhet të demonstrojnë përkushtimin e tyre të plotë për zbatimin e reformave dhe objektivave përkatëse të BE-së. Vendet kandidate morën fondet dhe mbështetjen shumë të nevojshme për t’u bërë anëtarë të BE-së. Prandaj, jam i bindur se Komisioni i ardhshëm do të duhet të jetë një Komision i Zgjerimit, i cili do t’i hapë rrugën valës së ardhshme të zgjerimit në fund të mandatit të tij”, tha Varheji.

Ai theksoi se BE-ja është e gatshme të mirëpresë vendet e reja anëtare në vitet e ardhshme.

Kujtojmë se vendi duhet t’i bëj ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese. Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me në vitin 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.