Ushtria i raportoi Siljanovskës mbi gatishmërinë luftarake

Në Shtëpinë e Armatës në Shkup, u realizua raportimi për gatishmërinë luftarake të Armatës për vitin 2025 para Presidentes dhe Komandantes Supreme të Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, ku morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Vlado Misajllovski, si dhe gjeneralët e Armatës, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të raportimit, të mbajtur nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, gjeneral-major Sashko Llafçiski, Presidentja Siljanovska-Davkova u njoh me detyrat e realizuara dhe arritjet e Armatës në vitin 2025.

Gjenerali Llafçiski theksoi se Armatës është e gatshme ta përmbushë rolin dhe funksionin e saj kushtetues për mbrojtjen e republikës, të mbrojë integritetin territorial dhe pavarësinë e atdheut dhe është e përgatitur të përmbushë obligimet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë kontributin në mbrojtjen kolektive, operacionet ndërkombëtare dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

Ai shtoi se Armatës gjatë vitit të kaluar i realizoi me sukses të gjitha detyrat e planifikuara dhe të caktuara.

Në fund të fjalës së tij, gjenerali Llafçiski theksoi se, ndonëse gatishmëria luftarake është në nivelin e nevojshëm, Armata do të vazhdojë ta përmirësojë vazhdimisht atë, si rezultat i zbatimit të planit të modernizimit, procesit të vazhdueshëm të trajnimit dhe stërvitjeve në vend dhe jashtë tij, si dhe përmbushjes së paketës së objektivave të kapaciteteve për vitin 2025, e cila është një nga prioritetet kryesore të Armatës drejt NATO-s.

Gordana Siljanovska Davkova, Vllado Misajllovski. Foto: Armata (Ushtria) e RMV-së
Gordana Siljanovska Davkova, Vllado Misajllovski. Foto: Armata (Ushtria) e RMV-së

Presidentja Siljanovska-Davkova, vlerësoi se Armata është një nga shtyllat më të qëndrueshme dhe më të besueshme të shtetit dhe një faktor i rëndësishëm i sigurisë rajonale dhe kolektive.

Sipas Presidentes, bashkëpunimi i intensifikuar me aleatët e NATO-s dhe pjesëmarrja e suksesshme në misione dhe stërvitje brenda dhe jashtë vendit e konfirmojnë kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Armatës maqedonase.

Ministri Misajllovski theksoi se Ministria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj proceseve të modernizimit të Armatës, si investim në sigurinë e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve.

“Me blerjen e pajisjeve të reja dhe moderne, të cilat mbërrijnë vazhdimisht, ne e forcojmë gatishmërinë luftarake të Armatës dhe kapacitetet e saj për të garantuar sigurinë e të gjithëve ne. Do të vazhdojmë të investojmë fuqishëm si në modernizim, ashtu edhe në ushtarët tanë, të cilët janë një nga shtyllat kyçe të një armate moderne të NATO-s”, tha ministri gjatë raportimit për gatishmërinë luftarake.

Raportimi për gatishmërinë luftarake është obligim vjetor i planifikuar i shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Armatës ndaj Presidentit dhe Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura të Republikës.

Maqedonia e Veriut është renditur në vendin 114 nga 145 shtete të përfshira në vlerësimin vjetor të Global Firepower (GFP) për renditjen e fuqisë ushtarake për vitin 2026. RMV-ja ka rezultat të Indeksit të Fuqisë (PwrIndx) prej 2.4956 (ku rezultati 0.0000 konsiderohet “perfekt”). Në krahasim me vitin e kaluar, vendi ka shënuar rënie.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.