Universiteti dhe religjioni (I)

Universiteti është një institucion i nivelit superior të shoqërisë, një vatër dijeje që përgatit breza, që gatuan ardhmërinë e kombeve dhe të njerëzimit. Është mjedisi i krijimit të kulturës dhe qytetërimit, i shkollarisë të bazuar në metodologji dhe objektivitet, i ndërtimit të personaliteteve me vlera universale, i hapjes së dritareve të shikimit të botës nga një perspektivë më e gjerë. Është makro-mësonjtore që e ndryshon njeriun, i ndihmon atij të formojë një vetëperceptim sui generis.

Fjala universitet rrjedh nga fjala latine universitas, universum që do të thotë e tëra, shuma e gjërave ekzistente, kosmos, gjegjësisht nga unus-një dhe versus-kthej, konvertoj, transformoj, përkthej etj. Pra simbolizon, kthimin nga njëshi, nga e vërteta. Për nga gjeneza, universiteti është institucioni i mesjetës. Si universitete të para në botë merren ai i Bolonjës (1088), i Parisit (1160), i Oksfordit (1167), ndonëse sipa Bernalit si nukleus i universiteteve të para janë Akademia e Platonit dhe Liceu i Aristotelit. Sipas The Global Academy universiteti i parë në botë është medreseja e themeluar në Fez në vitin 895 nga Fatime el-Fihri, ku janë mësuar matematika, gramatika, mjekësia, shkencat fetare etj.

Karl Jaspersit pohon se universiteti është komunitet që në saje të shkencëtarëve dhe studentëve e kërkon në mënyrë sistematike të vërtetën (aletheia). Këtë të vërtetë universiteti synon ta gjejë dhe ta afirmojë përmes hulumtimit, studimit dhe ligjërimit. Universiteti është edhe institucion edukues, ai luan edhe rolin e zëvendësuesit të prindërve, in loco parentis. Aty jetësohet parimi ilirisë së ligjërimit (Lehrfreiheit) dhe ai i lirisë së studimit (Lernfreiheit).

Që nga koha e Iluminizmit mbizotëron teza se universiteti duhet të jetë instancë puro shekullare apo laike, institucion pozitivist apo scientist, pra jashtëfetar. Kursi është ai i vizionit të për një mendje-arsye njerëzore të pavarur. Ecklund në artikullin e tij “No God on the Quad: Efforts Toward a Purely Secular University”  (2010) argumenton se “kur një universitet shihet si vend që duhet të jetë religion-free, rezultati është është një ndarje institucionale e fesë nga pjesa tjetër e jetës intelektuale, në disa raste, presion ndaj zërave fetarë.”

Shumica e kolegjeve në SHBA që kanë nisur gjallnimin 300 vjet më parë kanë qenë shkolla që kanë proklamuar Biblën. Harvardi dhe Yale (puritan), dhe Princetoni (presbiterian) kanë rrënjë kristiane. Universiteti i Kembrixhit është themeluar më 1209 nga prijës të krishterë; Saint Andrews, universiteti skocez më i vjetër, është themeluar për mësim dhe studim të teologjisë. Universiteti i Edinburgut ka një zanafillë evangjeliste. Vepra The Sacred and the Secular University (2000) e Robert dhe Turner përbën një studim të përthelluar të dy historianëve shekullarë që diskutojnë ndryshimin në universitetet amerikane nga botëkuptimi kristian drejt filozofisë natyraliste që refuzon fjalën hyjnore nga “Zanafilla” e Biblës.   /vazhdon/

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.