Ulje e prodhimit në bujqësinë e Maqedonisë së Veriut, vetëm në pemëtari ka rritje

Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2023 është regjistruar ulje e prodhimit në të gjitha fushat, vetëm në pemëtari ka pasur rritje, krahasuar me vitin paraprak, transmeton Portalb.mk.

“Në krahasim me vitin 2022 prodhimi organik i kulturave të drithërave është zvogëluar për 5.6 %, tek kulturat industriale prodhimtaria është zvogëluar për 17.0 %, tek kulturat foragjere prodhimtaria është zvogëluar për 8.4 %, prodhimtaria e perimeve është zvogëluar për 42.8 %, tek pemët prodhimtaria është rritur për 16.4 % dhe 4.6 % është zvogëluar prodhimtaria organike e vreshtave”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Raportohet që gjatë vitit 2023 në Maqedoninë e Veriut me prodhime bujqësore organike janë marrë 888 prodhues, ashtu që 4 215 hektarë janë shfrytëzuar për prodhime bimore, ku 51 përqind e saj ishte e zënë më drithëra.

“Numri i përgjithshëm i gjedheve organike është 7 528 frymë dhe në numrin e përgjithshëm të gjedheve merr pjesë me 5.1 %. Pjesëmarrja e deleve organike në numrin e përgjithshëm të deleve është 20.5 %, kurse dhitë organike në numrin e përgjithshëm të dhive marrin pjesë me 5.8 %”, raportoi Enti.