Uber u gjobit me 290 milionë euro për transferimin e të dhënave e evropianëve në SHBA

Uber përballet me një gjobë prej 290 milionë eurosh për transferimin e të dhënave të drejtuesve Europianë në SHBA dhe është një prej penaliteteve më të larta aplikuar nën ligjin e ri Europian të privatësisë GDPR, transmeton PCW.

Gjoba u vendos nga Autoriteti Holandez i Mbrojtjes së të Dhënave (DPA) i cili akuzonte Uber se ka dështuar të mbrojë të dhënat e drejtuesve Europianë të makinave duke i transferuar ato në SHBA.

Uber tashmë e ka ndaluar atë praktikë. DPA filloi hetimin për transferimin e të dhënave të 170 drejtuesve Francezë të Uber të cilët u ankuan tek një organizatë e të drejtave të njeriut.

Në mesin e të dhënave ishin licenca taksi, të dhëna rreth vendndodhjes, foto, pagesa, dokumente identiteti e në disa raste edhe të dhënave kriminale dhe shëndetësore të tyre.

Uber transferoi të dhënat pa përdorur mjetet e parashikuara nga GDPR. Ky i fundit është një ligj i cili u miratua në Europë në 2016-ën dhe parashikon rregulla për kompanitë sesi të menaxhojnë dhe lëvizin të dhënat personale.

Gjoba më e madhe vendosur në kuadër të GDPR është ajo ndaj Meta prej 1.3 miliardë dollarësh në 2023. Kompania mëmë e Facebook u akuzua për transferimin e të dhënave të qytetarëve Europianë në SHBA pa mbrojtjet e duhura.