Bekteshi: Do të kërkojmë dëmshpërblim nëse Bullgaria vendos taksë për gazin rus

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi bëri të ditur se vendi do të kërkojë kompensim nga Bullgaria dhe mbështetje shtesë nga BE-ja nëse vendoset taksë për gazin natyror që shpërndahet përmes territorit të saj dhe sasitë e gazit të marrë me qira nga “Gazprom” për RMV-në, transmeton Portalb.mk.

Reagimi vjen pasi fqinji lindor vendosi taksë tranziti për gazin rus që vjen përmes territorit të tij në vendet fqinje, përfshirë edhe RMV-në.

“Këto janë sigurisht vendimet e tyre, të brendshme, ne nuk ndërhyjmë në politikën fiskale, por duhet thënë qartë dhe hapur që nëse merren vendime të tilla, të merren edhe vendime të tjera, ku sasitë do të lirohen në mënyrë që shtetet të kenë hapësirë ​​për furnizim nga burime të tjera, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut. Unë kam reaguar në komunitetin energjetik dhe në Komisionin Evropian dhe pres që të lirohen sasitë që “Gazprom” ka marrë me qira nga pala bullgare. Nëse vendosin taksë për gazin natyror që vjen nga Gazprom, atëherë duhet të lirojnë edhe sasitë e dhëna me qira nga Gazrom në Maqedoninë e Veriut”, tha Bekteshi.

Ai shtoi se sasitë e lëshuara vitin e kaluar nuk janë të mjaftueshme për kërkesat dhe nevojat e RMV-së dhe kjo sigurisht që do të ndikonte në çmimin e gazit natyror që përdor ekonomia.

Sipas Bekteshit, çdo vend ka të drejtë të vendosë taksa të brendshme, por të shantazhosh një vend tjetër në këtë mënyrë, siç tha ai, është e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e punës së BE-së.

Ministri shpjegoi se vendi ka të drejtë të blejë gaz nga Azerbajxhani si dhe nga burime të tjera, por në atë situatë Bullgaria kërkon gazsjellës tjetër nga RMV-ja, i cili aktualisht furnizohet vetëm nga një vend afër Kriva Pallankës.

“Bullgaria ka një kërkesë që të ketë një gazsjellës të dytë. Deri në fund të vitit do të fillojmë ndërtimin e gazsjellësit të dytë me Greqinë, i cili është prioritet dhe mbështetet plotësisht nga BERZH, BEI dhe partnerët tanë strategjikë”, tha Bekteshi.

Bullgaria ka miratuar rregullore që parashikon tarifë prej 10.23 euro për megavat orë gaz që dërgohet përmes territorit të atij vendi.