U rrit numri i nxënësve dhe studentëve të vendosur në konviktet e Maqedonisë së Veriut
Në këtë vit shkollor është rritur numri i nxënësve dhe studentëve që janë vendosur në konvikte, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Ndërkohë akoma i hapur Konkursi për të siguruar një vend në konvikt për vitin e ardhshëm shkollor, transmeton Portalb.mk.
“Gjatë vitit 2022/2023, numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve të akomoduar nëpër shtëpi studentore dhe për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme është 5 877, që paraqet rritje për 6.5 % krahasuar me vitin 2021/2022”, raportojnë nga Enti Shtetëror i Statistikave.
Në Maqedoninë e Veriut janë 36 shtëpi për studentë, filloristë, gjimnazistë dhe nxënës të shkollave fetare, duke marrë parasysh që në shkollat e mesme fetare janë akomoduar 124 nxënës.
Ndryshe, studentët shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë mundësi prej të hënës të aplikojnë për të siguruar vend në konviktet studentore për vitin akademik 2023/24.
“Afati për aplikim për studentët e vitit të II dhe viteve më të larta fillon prej 17.07.2023 dhe zgjat deri më datë 31.07.2023. Afati për aplikim të studentëve të vitit të I fillon prej 01.09.2023 dhe zgjat deri më 11.09.2023”, paralajmërojnë nga Ministria për Arsim dhe Shkencë.
Aplikimi do të bëhet në formë elektronike përmes adresës http://e-uslugi.mon.gov.mk., ku do të dërgohet fletaplikimi dhe dokumentet tjera që kërkohen në Konkurs.
Në Programin për punën e Qeverisë për periudhën 2022-2024, në të cilin si mandatr është nënshkruar kryeministri aktual Dimitar Kovaçevski, në rubrikën “Rinia në fokus”, ai ka premtuar ndër të tjera se do të fusë edhe punë me pagesë për studentë në konviktet studentore. Mirëpo, deri në këtë moment ky projekt nuk është realizuar, prandaj premtimin e vlerësohet i pa realizuar.