U miratuan konkluzat, e paqartë kur do të hiqen masat ndaj Kosovës

Presidenca Daneze e Bashkimit Evropian ka publikuar konkluzat e takimit të ministrave të vendeve anëtare dhe ato konkluza mes tjerash përshëndesin edhe heqjen e mëtejme të masave ndaj Kosovës, raporton Koha.net.

Konkluzat u miratuan në emër të Presidencës Daneze pasi Hungaria kishte kundërshtuar pjesën e konkluzave që kishin të bëjnë me Ukrainën.

Pasi konkluzat ishin përgatitur si konkluza për të gjithë procesin e zgjerimit, atëherë nuk kishte mundësi që të ndahen dhe po ashtu nuk kishte mundësi që të miratohen si konkluza të Këshillit të çështjeve të përgjithshme. Por përkundër kësaj këto konkluza kanë një peshë politike pasi kanë mbështetjen e 26 vendeve anëtare. Pritet që tash pas këtyre konkluzave, Komisioni Evropian të veprojë drejt heqjes së masave ndaj Kosovës, por akoma është e paqartë se kur dhe si do të bëhet kjo. Pritjet janë, sipas paralajmërimeve nga Komisioni Evropian që Komisioni do të heqë së pari 50 për qind të masave që do të thotë diku rreth 200 milionë euro, të cilat do të mundësoheshin për shfrytëzim nga Kosova, e që kanë qenë të pezulluara deri më tash.

Sa i përket pjesës tjetër të konkluzave për Kosovën, shprehet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë bërë më shumë në implementimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e Dialogut.