U mbyllën komunat paralele serbe të Pejës, Istogut e Klinës

Në një aksion të gjerë, autoritetet e Kosovës ua kanë vënë drynin tri objekteve në rajonin e Dukagjinit, në të cilat funksionuan komunat paralele të Serbisë, për Pejë, Istog dhe Klinë. Pasi u bastisën, nga objektet u nxorën dokumente, kompjuterë e gjësende të tjera. Gjatë aksionit pati edhe konfrontim verbal të serbëve me Policinë, raporton Koha.net.

Shiritat e sigurisë u janë vënë objekteve në të cilat vepronin tri komuna ilegale të Serbisë në rajonin e Dukagjinit.

Zyrat që shfrytëzoheshin nga strukturat paralele në fshatra të Pejës, Istogut e Klinës u bastisën nga Policia mëngjesin e së premtes.

Operacioni i Prokurorisë së Pejës më së shumti zgjati në Istog.

Nga zyrat në fshatin Osojan u morën dokumente, kompjuterë, printerë e gjësende të tjera, si dollapë, tavolina e karrige.

Aksioni zgjati deri në orët e pasdites.

Në Osojan, derisa gjithçka po shkonte drejt fundit e dyerve të objektit dykatësh po i viheshin shiritat, reaguan banorë serbë.

Derisa provuan të afrohen te zyrat e sapombyllura, u konfrontuan verbalisht me policët.

Një aksion i ngjashëm, por më i shkurtër në realizim u zhvillua edhe në Gorazhdec të Pejës e Videjë të Klinës.

Në një kompleks objektesh, që nga larg duket i braktisur, ka zhvilluar veprimtarinë komuna paralele e Pejës.

Aksioni i Policisë në Pejë e Klinë herë pas here u vëzhgua nga pjesëtarë të KFOR-it.

E, mbyllja e komunave ilegale serbe u përcoll nga dy ministra: Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi.

Një javë më parë, autoritetet mbyllën një objekt në Vranisht të Dragashit, në të cilin ushtrohej veprimtaria e komunave paralele serbe për Dragash, Prizren, Suharekë dhe Rahovec.