U mbajt Panairi i shkollave të mesme të Qytetit të Shkupit, interes për drejtimet e informatikës

Stafi i profesorëve së bashku me nxënësit e shkollave të mesme më 17 dhe 18 maj organizuan “Panairin e shkollave të mesme të Qytetit të Shkupit” në sheshin “Maqedonia”. Rreth stendave vëreheshin dhjetëra gjysmë-maturantë e prindër që interesoheshin për drejtimet që ofrohen si opsione për ta, njëkohësisht duke u ankuar për mungesën e një “Plani Nacional” për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Stafi i profesorëve tha se ka interes nga ana e nxënësve dhe sugjerojnë të ndjekin drejtimet që janë deficitare për të qenë konkurrent në treg, transmeton Portalb.mk. 

Në qytetin e Shkupit ka gjithsej 23 shkolla të mesme, prej të cilave vetëm 5 janë gjimnaze dhe tjerat profesionale, megjithatë nxënësit, siç thonë prindërit, preferojnë të regjistrohen në shkollat të cilat prodhojnë kuadro të mjaftueshme për në tregun e punës.

Mungesa e një “Plani Nacional”, sipas tyre, është arsyeja kryesore pse të rinjtë zgjedhin të largohen nga vendi. Kjo i detyron ata të angazhohen dhe të ndihmojnë në përzgjedhjen përkatëse të drejtimit të fëmijëve të tyre. 

“Sot jam këtu për të ardhmen e fëmijëve tanë. Më vjen mirë që organizohet një panair i tillë në sheshin “Maqedonia”, por më brengos fakti që nuk ekziston një “Plan Nacional” për këto kuadro të reja që do i shërbejnë vendit, ngase të njëjtij largohen. Personalisht jam marrë me preferencat e djemve të mi, i kam udhëzuar në kurse përkatëse që të krijojnë një profil të tyre. Sot erdhëm në stendën e kësaj shkolle të mesme të njihemi nga afër me programin mësimor dhe stafin e profesorëve që të na informojnë më hollësisht rreth procesit mësimor në të”, tha Marija, nënë fëmijëve gjysëm-maturantë.

Interes të veçantë të rinjtë shprehin për shkencat kompjuterike dhe elektroteknike.

Nga ShMQSH “Mihajllo Pupin” njoftojnë se nxënësit ndjekin edhe praktikë paralelisht me procesin mësimor, dhe se kjo u ndihmon në të ardhmen për të qenë konkurrent në treg. 

“Ne aktualisht kemi 9 paralele për teknik kompjuterik, ka interes të veçantë për këtë drejtim të së ardhmes. Nxënësit tanë ndjekin edhe praktikë paralelisht me procesin mësimor, me kompanitë që ne bashkëpunojmë si shkollë. Qëllimi ynë është që të njëjtit të përvetësojnë procesin e punës dhe të ngelin kandidat potencial për punësim në këto kompani, pas përfundimit të shkollimit. Drejtimet tona janë deficitare njashtu edhe kërkohen në treg, ndaj bëjmë thirrje nxënësve të zgjedhin shkollën tonë për të qenë konkurrent në treg”, tha Anja Mançevska-Ilieva, profesoreshë në këtë shkollë. 

Kujtojmë se regjistrimi i nxënësve në shkollë të mesme edhe këtë vit do të bëhet përmes aplikacionit elektronik, përmes linkut në portalin e shërbimeve elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me njoftim të veçantë për nxënësit e shkolla të mesme përmes llogarive të tyre personale Schools.mk. 

Afati i regjistrimit është nga data 20 deri më 25 qershor në orën 15:00 të vitit 2024, ndërkaq dorëzimi fizik i dokumentacionit nga data 20, 21 dhe 24 qershor, nga ora 07:00-17:00, dhe më datë 25 qershor nga ora 07:00-15:00 të vitit 2024.