U lirua Blerim Ramadani, ish-luftëtari i UÇK-së i arrestuar në Maqedoninë e Veriut

Gjykata Penale i ka ulur masën e kujdesit shtetasit të Kosovës, ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani. Nga paraburgimi ekstradues, Ramadani kalon në arrest shtëpie në një adresë në Shkup, raporton Alsat.

“Ndërpritet masa e paraburgimit ekstradues ndaj personit Blerim Ramadani nga Republika e Kosovës e caktuar me vendim të gjykatësit të procedurës paraprake më 18 korrik 2024. Masa e paraburgimit prej 30 ditësh konsiderohet nga data 17 korriku deri më datën 16 gusht 2024. Masa e paraburgimit ekstradues ndërpritet dhe caktohet masa e arrestit shtëpiak”, njoftojnë nga Gjykata Penale.

Ai do të jetë në arrest shtëpiak deri më 16 gusht në ora 13:00.

Vendimi i Gjykatës së Shkupit ishte paralajmëruar dje nga ministri i punëve të brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, gjatë takimit me homologun nga Maqedonia e Veriut, Pançe Toshkovski.

Blerim Ramadani u ndalua më 17 korrik, në pikëkalimin kufitar në Jazhincë bazuar në një fletëarrest lëshuar nga Gjykata e Beogradit përmes Interpol Serbia. Ministri serb i policisë, Ivica Daçiq, më 25 korrik vlerësoi që autoritetet e Maqedonisë së Veriut do të marrin vendim për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së.

Më 20 korrik u protestua para objekteve të gjyqësorit në Shkup, ku u kërkua lirimi i Ramadanit. E njëjta kërkesë u parashtrua edhe në protestën e mbajtur më 25 korrik në Ferizaj.