U hapën Lojërat Paraolimpike në Paris, parakaloi edhe delegacioni i RMV, Kosova për herë të parë pjesëmarrëse

Mbrëmë në Paris u hapën Lojërat Paralimpike, në të cilat deri më 8 shtator do të marrin pjesë 4.400 sportistë nga 184 delegacione. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe sportistja nga Maqedonia e Veriut, Olivera Nakovska-Bikova, e cila garon në qitje. Ndërkohë, Kosova për herë të parë merr pjesë në Lojërat Paralimpike me atletin Grevist Bytyqi, 33 vjeç, që do ta përfaqësojë Kosovën në atletikë, në disiplinën vrapim prej 1500 metrash trasmeton Portalb.mk.

Në mesin e mbi 50 mijë shikuesve nga mbarë bota, për herë të parë, flamuri i Kosovës ka valuar në ceremoninë hapëse të Lojërave Paralimpike “Paris 2024”.

Pas flamurit së Maqedonisë në hapjen e Lojërave Paraolimpike ishin tre përfaqësuese të delegacionit, por garuesja Nakovska-Bikova, siç thotë ekipi, në marrëveshje me trajnerin dhe delegacionin, vendosi të mos rrezikojë lodhjen e mundshme apo lëndimin e krahut dhe qëndroi në Chateru ku e shfrytëzoi ditën për stërvitje.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike filloi në Sheshin Concorde dhe Champs Elysees, me koreografi të suedezit Alexander Ekman.

Ashtu si në Lojërat Olimpike, ceremonia e hapjes së Lojërave Paralimpike po mbahet për herë të parë jashtë një stadiumi në kryeqytetin francez.

Tymi blu, i bardhë dhe i kuq, sipas ngjyrave të flamurit francez, u lëshua nga avionët e njësisë akrobatike të aviacionit francez, para se atletët të fillonin parakalimin e tyre.

Atletët nga 184 delegacione do të marrin pjesë në 22 sporte Paralimpike, duke garuar për gjithsej 549 medalje ari në Paris.

Drejtori artistik Thomas Joly ka premtuar se ceremonia e hapjes do të jetë një spektakël që do të shfaqë atletët paraolimpikë dhe vlerat që ata mishërojnë dhe do të shfaqë performanca që nuk janë parë kurrë më parë.

Gjatë ditës, pishtari Paralimpik mbërriti në Paris dhe kaloi nëpër rrugët e kryeqytetit të Francës, dhe aktori Jackie Chan ishte në mesin e bartësve të pishtarit.

Atletët francezë, përfshirë Sirena Samba-Mayela dhe Riad Salem, ndezën pishtarin në prani të rreth 500 njerëzve.

Presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons beson se Parisi do të japë “Lojërat Paralimpike më spektakolare ndonjëherë”.