U gjetën mbi 25 tonë piroteknikë, u arrestua një polic dhe një person tjetër nga Shkupi 

Ministria e Punëve të Brendshme ka gjetur mbi 25 tonë mjete piroteknike në dy mjete transportuese dhe në magazina të një personi juridik, ku u privuan nga liria dy persona, nga të cilët njëri është nëpunës policor, transmeton Portalb.mk.

Më 24.12.2025, në orën 08:35, në stacionin pagesor Gradsko, nëpunës policorë nga NJPB Kavadar në bashkëveprim me Njësitin për Tregti të Palejuar të Armëve, Materieve të Rrezikshme dhe Materialit Readioaktiv pranë Departamentit për Polici Kriminalistike, i privuan nga liria N.R. (41) dhe I.R. (41), të dy nga Shkupi.

“Gjatë kontrollit në mjetin transportues “Pezho Bokser” me targa të Strugës, i drejtuar nga N.R., ndërsa pasagjer ishte I.R. – nëpunës policor në Stacionin Policor Bit Pazar, ishte gjetur dhe sekuestruar një sasi e madhe mjetesh piroteknike për të cilat nuk posedonin asnjë lloj dokumentacioni, dhe për të cilat deklaruan se i përkisnin një personi juridik nga Shkupi”, informoi MPB.

Më vonë, gjatë ndërmarrjes së masave dhe veprimeve të mëtejme, para magazinës së personit juridik është gjetur edhe një mjet tjetër transportues i ngarkuar me mjete piroteknike, i cili ishte lënë dhe braktisur.

Ndërsa, sot, me urdhër gjykate, u realizua bastisje në magazinat e personit juridik, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar mbi 25 tonë mjete piroteknike.

“Njësiti për Tregti të Palejuar të Armëve, Substancave të Rrezikshme dhe Materialit Radioaktiv në koordinim me NJPB Kavadar do t’i ndërmarrin të gjitha masat dhe veprimet për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe pas kompletimit të dokumentacionit, do të ngrihet kallëzim përkatës sipas nenit 396 paragrafi 7 të Kodit Penal”, informoi MPB.