U fshi grafiti “Shqiptar i Vdekur” i cili qëndronte përballë Gjykatës Kushtetuese në Shkup
Pas raportimit të Portalb.mk, është fshirë mbishkrimi me gjuhë të urrejtjes në bazë etnike në të cilin shkruhej “Mrtov Shiptar” (Shqiptar i Vdekur).
Ky mbishkrim që nxiste dhunën qëndronte në murin e ndërtesës përballë Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut në Shkup. Për këtë problem nga Gjykata Kushtetuese na thanë se do të reagojnë tek institucionet kompetente edhe pse mbishkrimi nuk është në pronësi të tyre.
Kjo praktikë e reagimit të shpejtë të institucioneve duhet përshëndetur, dhe me gjitha gjasat, të përsëritet.
Kujtojmë se rastin e gjuhës së urrejtjes edhe Portalb.mk e raportoi në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Përndryshe në Shkup ka ende plot mbishkrime të cilët përmbajnë gjuhë të urrejtjes, diskriminim, jotolerancë dhe mbishkrime të tjera me prapavija të dëmshme. Mbishkrimet e tilla janë kërcënuese për paqen, stabilitetin dhe bashkëjetesën e qytetarëve.
Gjuha e urrejtjes është vepër e ndëshkueshme
Ligji për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit ndalon nxitjen e diskriminimit dhe shqetësimin në baza diskriminuese.
Kodi Penal në Maqedoninë e Veriut radhit disa krime të nxitura nga gjuha e urrejtjes, përfshirë ato të kryera nëpërmjet internetit.
Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuele ndalon transmetimin e përmbajtjeve mediatike që inkurajojnë ose promovojnë diskriminimin, intolerancën ose urrejtjen.