Ambasadori i BE-së Rokas: E domosdoshme përfshirja e bullgarëve në kushtetutë për vazhdim të negociatave

Forcat politike në Maqedoninë e Veriut duhet të bashkohen për të zbatuar ndryshimet kushtetuese. Ky është mesazhi që ka përsëritur në Shkup ambasadori evropian Mihalis Rokas, pas publikimit të raportit të Komisionit Evropian për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Në një konferencë për media me ministrin për çështje evropiane, Orhan Murtezani, ai citoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila vetëm një javë më parë vizitoi Shkupin dhe rajonin dhe përsëriti mesazhet e saj për të ardhmen evropiane të vendit, transmeton Portalb.mk.

“Është e pamundur të spekuloj për hipoteza, por ajo që është e qartë si kristali dhe që do të doja ta them është se kur kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Fon Der Leyen ishte këtu, në të njejtën foltore ajo dha porosi të qartë dhe do të doja ta citoj. E para kishte diskutim për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe ajo gjithsesi ju faleminderua Maqedonisë së Veriut për këtë, dhe më pas citoj ’Kemi qëllim të qartë, që të hapet grup kapitulli I parë “themeloret”, sa më shpejtë të jetë e mundur. Pothuajse kemi arritur deri atje, e dimë se bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese që vendi juaj detyrohet t’I zbatojë. Tani na nevojiten përpjekje, bashkëpunim dhe dialog të përbashkët dhe shpresoj se të gjitha palët politike në vend do të bashkohen dhe do ta ndërmarrin këtë hap vendimtarë përpara’ dhe më tej vazhdoi se është e bindur, njësoj siç tha kryeministri se mund të tejkalohen pengesat që ekzistojnë akoma ”, deklaroi Mihalis Rokas Ambasadori i BE-së në Shkup

Ministri për Çështjet Evropiane, Orhan Murtezani, në pres – konferencë, prezantoi gjetjet dhe vlerësimet kryesore për progresin e arritur në dosjen evropiane të vendit. Ministri Murtazani theksoi se ky Raport duhet të analizohet në kontekst të raporteve tjera që kemi pranuar këtë vit – gjegjësisht: Skrining raportet për secilin Klaster, si dhe Agjendën Reformuese të miratuar së fundmi për vitin 2024-2027, udhërrëfyesit për Sundimin e të drejtës dhe reformat në administratën publike, si dhe dokumente të tjera relevante.

“Po aq e rëndësishme është të theksohet se prioritetet janë harmonizuar me Agjendën Reformuese, d.m.th. se të gjitha dokumentet janë të lidhura me njëra-tjetrën, me qëllim që të arrihen rezultate dhe sinergji më të mira pikërisht në fushat prioritare,” tha Murtezani.

Ministri shtoi se Raporti publikohet në një ditë, por leximi i tij vazhdon 365 ditë, sepse ai nuk është vetëm vlerësim i aktiviteteve të deritanishme, por edhe një udhërrëfyes për hapat e ardhshëm të rrugës sonë evropiane.

“Pika kryesore është se si t’i integrojmë këto udhëzime në strategjitë tona politike dhe ekonomike. Kjo është një sfidë që ne e pranojmë me përgjegjësi dhe vendosmëri. Jemi të vetëdijshëm se suksesi i dosjes evropiane varet nga përpjekjet e përbashkëta – nga Qeveria, përmes Kuvendit, deri te sektori civil. Nëpërmjet bashkëpunimit dhe dialogut të hapur, si bazë e përpjekjeve tona përparimin e të ardhmes sonë evropiane. Vetëm në këtë mënyrë ëndrra për anëtarësim në Bashkimin Evropian mund të bëhet realitet”, tha Murtezani.

Ndryshe, në Raportin e progresit për vitin 2024, thuhet se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze. Korniza institucionale për luftën kundër korrupsionit është e vendosur dhe është e kënaqshme për sa i përket masave parandaluese. Megjithatë, nevojitet përmirësim në zbatimin e ligjit.