U arrestua një i dyshuar, hakoi mbi 300 mijë kartela bankare të klientëve të një banke nga një shtet i BE-së
Një person është arrestuar në dyshimin për hyrje të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të Bashkimit Europian, duke komprometuar të dhënat e mbi 300 mijë kartelave bankare, raporton Kallxo. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një njoftim për media më 05.02.2025.
Policia njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e një shteti të BE-së, ka zhvilluar një operacion të suksesshëm hetimor në Prishtinë dhe Ferizaj.
“Pas një hetimi disa mujor, është arrestuar një person i dyshuar për hyrje të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-së. Ky veprim ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm”- thuhet në njoftim e Policisë së Kosovës.
Sipas policisë personi në fjalë dyshohet se i ka postuar për t’i shitur këto të dhëna në një platformë online për përfitime të kundërligjshme.
“Gjatë realizimit të operacionit të kontrollit janë sekuestruar katër kompjuterë, tre telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme”- theksohet në njoftimin e Policisë.
Me urdhër të prokurorit, i arrestuari është ndaluar për 48 orë. Hetimet e tjera sipas policisë janë në proces në bashkërendim me autoritetet për të zbardhur plotësisht rastin.