Turqia dëshiron t’i bashkohet rastit kundër Izraelit në GJND

Turqia do të paraqesë një kërkesë më 7 gusht që zyrtarisht t’i bashkohet rastit për gjenocid, të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Ne sapo e kemi dorëzuar kërkesën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për t’u përfshirë në rastin për gjenocid kundër Izraelit”, shkroi në X ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan. “I trimëruar nga mosndëshkueshmëria për krimet e tij, Izraeli po vret edhe më shumë palestinezë të pafajshëm çdo ditë”.

Turqia vazhdimisht ka kritikuar Izraelin për bombardimin e Gazës gjatë luftës kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Bashkësia ndërkombëtare duhet ta bëjë atë që i takon për ta ndalur këtë gjenocid; ajo duhet t’u bëjë Izraelit dhe mbështetësve të tij trysni. Turqia do të bëjë përpjekje për ta bërë këtë”, shtoi ai.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, mbështet kauzën palestineze dhe ka dënuar “barbarinë” e Izraelit, shtet që sipas tij, “vazhdimisht ka shfaqur qëllimin e tij për të zbatuar politika masakruese”.

GJND-ja veçse ka urdhëruar Izraelin që të bëjë gjithçka për të parandaluar gjenocidin gjatë ofensivës së tij, që e nisi si kundërpërgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit të Hamasit. Por, gjykata nuk ka urdhëruar një armëpushim. GJND-ja po ashtu ka urdhëruar Izraelin që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar që popullata palestineze e Gazës të ketë furnizime me ushqime bazike dhe në maj, kjo gjykatë bëri thirrje për ndaljen e operacioneve ushtarake në qytetin Rafah, në jug të Gazës.

“Ekipi ligjor i Parlamentit tonë më 7 gusht do të dorëzojë një kërkesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë që t’i bashkohemi rastit”, tha Erdogan, pas një mbledhjeje të kabinetit presidencial më 5 gusht.

“Prandaj, ne do të bëjmë aplikimin zyrtar në emër të Turqisë”.

Turqia është një nga shtetet më kritike ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gazë.