Në botën moderne, është bërë e pamundur që shumica dërrmuese e industrisë së lehtë, industrisë së rëndë ose ekonomisë të mos lidhet me gjeopolitikën. Në këtë kontekst, turizmi, i cili dikur nuk shihej si fitimprurës, tani është zhvilluar shumë në Ballkanin Perëndimor. Madje shihet edhe si levë gjeopolitike për disa shtete.
Kështu, bashkëveprimi i turizmit dhe gjeopolitikës siguron një lidhje të fortë midis degëve kryesore të ekonomisë. Në këtë drejtim, disa qeveri ballkanike dhe BE-ja kanë qenë të zëshme se pa zhvillimin e duhur të turizmit, edhe integrimi në union do të jetë më i vështirë. BE-ja nuk është vonuar me mjetet financiare për Ballkanin.
Plani i Rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh, për disa, ka marrë formë me hapa konkretë nga vetë vendet që janë të interesuara që Plani i Rritjes, i cili ndikon në zhvillim dhe turizëm, të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomitë e tyre lokale dhe kombëtare. Disa qeveri kanë shkuar më tej, duke përgatitur një kuadër ligjor të qëndrueshëm në fushën e investimeve në turizëm, qoftë malor apo bregdetar.
Edhe këtu, BE-ja ka qenë e gatshme t’u paguajë shumën e specifikuar financiare qeverive përkatëse ballkanike. Ndërsa disa qeveri po vonojnë, për arsye të njohura politike, mungesë organizimi të institucioneve, ngecje në reforma apo edhe trazira të brendshme sociale. Disa nga institucionet qeveritare kanë njoftuar BE-në se janë gati për paratë, por Brukseli ka njoftuar se nëse nuk bëhen reforma dhe projektet dështojnë, mjetet financiare duhet të kthehen.
Le të kthehemi te Plani i Rritjes, ku shumë ngjarje në Ballkan do të preken nga ky megaprojekt. Plani i Rritjes është një projekt gjithëpërfshirës për Ballkanin për të arritur qëllimet e BE-së dhe për t’u zhvilluar në mënyrë të barabartë me vendet anëtare të BE-së. Këtu, një fushë e veçantë që, siç e theksuam më sipër, është turizmi, pasi në të kaluarën qeveritë i kanë kushtuar shumë pak vëmendje.
Disa vende të Ballkanit, pas rënies së komunizmit, premtuan të bënin më shumë, por në realitet ndodhi e kundërta. Shumë burime financiare të destinuara nga jashtë për turizmin modern janë keqpërdorur ose nga autoritetet lokale ose nga zyrtarët e qeverisë qendrore. Gjithashtu, disa arsye të tjera kanë ndikuar në sjellje dhe veprime të tilla. Në terma konkretë, disa nga vendet e Ballkanit kanë braktisur modelin socialist të turizmit dhe kanë përqafuar modelin perëndimor ose një nga modelet më të mira të vendeve të zhvilluara në këtë fushë shumë fitimprurëse. Si shembull këtu është Shqipëria, e cila ka treguar sukses të madh në turizëm duke pasur parasysh të kaluarën e saj.
Nëse hedhim një vështrim në vendet e tjera, do të shohim një ndryshim rrënjësor në mentalitetin dhe stilin e ekonomive perëndimore që drejtojnë institucionet në Shqipëri, dhe shumë keq të menaxhuara në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë apo edhe në Serbi.
Gjithashtu, në disa pjesë të këtyre vendeve mund të shohim turizëm të stilit të vjetër me shenja të modeleve të ish-sistemit socialist të menaxhimit të turizmit. Situata aktuale nuk ka prodhuar asgjë për popullsinë, për shembull, në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në disa pjesë të pazhvilluara të Kosovës, situata mbetet e mjerueshme.
Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, sipas zyrtarëve të qeverisë shqiptare, vendi ka forcuar reputacionin e tij si një destinacion kryesor udhëtimi, duke tërhequr afër 11 milionë vizitorë të huaj në vitin 2024, një rritje prej 15.2% krahasuar me vitin 2023. Shqipëria konsiderohet një yll në ngritje për vitin 2025. Turizmi përbën mbi 21 përqind të PBB-së së vendit. Riviera shqiptare tani është qendra gjeopolitike e Shqipërisë dhe e Ballkanit. Turizmi në dy dekadat e fundit i ka ofruar Shqipërisë lidhje me BE-në dhe botën. Shqipëria ka dhënë disa shenja se ka potencialin për të tërhequr investitorë të huaj. Këtu mund të përmendim së fundmi njoftimet për blerjen e ishullit të Sazanit nga çifti Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Raste të tjera lënë gjurmë në faktet se Shqipëria është pjesë e ekosistemit modern që përfshin turizmin.
Kroacia ka qenë gjithashtu destinacioni kryesor për qytetarët e vendeve të BE-së, Kanadasë, SHBA-së dhe shumë vendeve të tjera të botës për dekada të tëra. Turizmi përfshin mbi 20 përqind të PBB-së. Bregdeti kroat është mbështetësi kryesor i ekonomisë kroate.
Mali i Zi gjithashtu gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm në botë me vijën bregdetare. Mali i Zi mbështetet fuqimisht nga të ardhurat nga turizmi, të cilat shkojnë deri në 24 përqind të PBB-së. Pavarësisht zhvillimit, Podgorica mbetet prapa Shqipërisë dhe Kroacisë. Mali i Zi ka vuajtur në turizëm nga ndikimi serb dhe rus. Ka të ngjarë që në vitet në vijim, kjo fushë të zhvillohet më shumë. Kur mendojmë për Maqedoninë e Veriut, Bosnjën dhe Hercegovinën, Serbinë dhe Kosovën, për shkak të mungesës së stabilitetit dhe mentalitetit të vjetër, turizmi mbetet në nivele të ulëta. Modelet që ato kanë përdorur ose vazhdojnë të praktikojnë nuk ndryshojnë nga ato të viteve të ekonomisë së ish-shteteve komuniste. Trendet aktuale në këto vende tregojnë se vendet e lartpërmendura janë shumë larg asaj që pamë dikur në turizmin jugosllav në Adriatik.
Të tre vendet, si Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia, megjithëse me potencial të madh, tregojnë kryesisht shenja të vazhdimësisë së sistemeve të mëparshme lindore të menaxhimit të turizmit. Mund të themi se për qëllime të caktuara, nuk kemi fluks të njohurive dhe teknologjisë së huaj nga bota perëndimore apo edhe aziatike. Pavarësisht sfidave dhe mosgatishmërisë për t’u dukur si vende të zhvilluara, qeveritë e shteteve të Ballkanit duhet më në fund ta shfrytëzojnë këtë mundësi që buron nga Plani i Rritjes së BE-së, Procesi i Berlinit dhe fondet ndërkombëtare.
Për të zgjidhur problemet ekzistuese, për të ndjekur reformat, për të përdorur të gjitha fondet e BE-së, për të ndërtuar ura dhe infrastrukturë transporti për një lëvizshmëri më të mirë, vullneti mbetet forca kryesore lëvizëse për të pasur një turizëm të kohës që mund të vihet edhe në shërbim të projekteve më të mëdha gjeoekonomike. Për shembull, nisma “Autostrada Adriatike” dhe të tjera që kanë ngecur midis shteteve në Ballkan, kërkojnë vullnet dhe një qasje paqësore midis qeverive në mënyrë që një ditë projektet e mëdha të bëhen realitete gjeopolitike si ura strategjike midis Perëndimit, Jugut të Ballkanit, botës arabe, Azisë dhe më gjerë.
Kështu, rajoni do të rifitonte rëndësinë e tij të mëparshme gjeopolitike jo vetëm në fushën e turizmit, por edhe në mbajtjen gjallë të korridoreve të tjera dhe projekteve të mëdha të fuqive ndërkombëtare. Për të arritur në shtetet bregdetare të Adriatikut, shtetet e Gjirit Persik në Lindjen e Mesme, etj., shtetet që kanë ngecur në këtë fushë dhe që nuk mund të arrijnë një dinamikë të shëndetshme, duhet së pari të zgjidhin mosmarrëveshjet historike dhe të vendosin rregulla që favorizojnë turizmin, ashtu siç bënë shtetet evropiane kur dolën nga Lufta e Dytë Botërore.
Për momentin, aspiratat e shteteve të Ballkanit janë të ndara në fushën e turizmit dhe vështirë se mund ta mbajnë të bashkuar vullnetin e banorëve për një turizëm të shëndetshëm, të paanshëm dhe fitimprurës. Shtetet e Ballkanit, përveç turizmit veror, kanë shanse të mira që më në fund të përpiqen të bashkohen edhe në turizmin dimëror, ku qendra të tilla nuk mungojnë në Ballkan. Turizmi kulturor është një shembull që është promovuar shumë pak në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Kjo kërkon infrastrukturë dhe fuqi punëtore, të cilat mungojnë në Ballkan për arsye të njohura. Ndërsa disa vende do të mbeten në të kaluarën dhe disa do të bëjnë reformat e kërkuara, turizmi për disa do të përdoret si një mënyrë për zhvillim, ndikim dhe promovim. Ndërsa për disa vende, ka të ngjarë të vihet në funksion të mosmarrëveshjeve.
Le të besojmë se turizmi do të marrë rolin dhe vendin që i takon në buxhetet e qeverive të Ballkanit në shërbim të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe rritjes ekonomike.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.