Trump do të vendosë tarifa ndaj 8 vendeve evropiane për shkak të Grenlandës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha se Uashingtoni do të vendosë tarifa të reja ndaj mallrave nga tetë vendev evropiane, duke filluar nga 1 shkurti, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, tarifat do të rriten ndjeshëm nga 1 qershori. Arsyeja, siç u shpreh, lidhet me “sigurinë kombëtare” dhe Grenlandën.

Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump njoftoi se importet nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda do të tarifohen me 10 përqind nga muaji i ardhshëm.

Nga 1 qershori, tarifa do të rritet në 25 për qind.

Trump tha se masat do të mbeten në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës”.

Ai ka përsëritur disa herë synimin e SHBA-së për ta marrë nën kontroll Grenlandën nga Danimarka, duke e cilësuar territorin si të rëndësishëm për sigurinë kombëtare.

“Paqja botërore është në rrezik. Kina dhe Rusia e duan Grenlandën, ndërsa Danimarka nuk mund të bëjë asgjë për këtë”, shkroi Trump.

Ai shtoi se SHBA-ja është e hapur për negociata me Danimarkën dhe vendet e tjera, por theksoi se janë të nevojshme “masa të forta” për të mbrojtur paqen dhe sigurinë globale.