Treni përplasi për vdekje 5 punëtorë në Itali, mes tyre një 22-vjeçar

Një tren në Itali ka përplasur për vdekje pesë punëtorë që po punonin në shina në zonën e Torinos ndërsa dy të tjerë shpëtuan mrekullisht, transmeton Euronews Albania.

Sipas mediave italiane ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate në afërsi të stacionit hekurudhor të Brandizzo-s. Treni po udhëtonte me 160 kilometra në orë.

Michael Zanera, 34vjeç; Giuseppe Sorvillo, 43 vjeç; Saverio Giuseppe Lombardo 52 vjeç, Giuseppe Aversa 49 vjeç, Kevin Lagana 22 vjeç; ishin pesë viktimat e këtij aksidenti të tmerrshëm.

Punëtorët po kryenin punë mirëmbajtjeje në stacion kur u përplasën dhe tërhoqën zvarrë me qindra metra. “Rfi shpreh dhimbje të thellë përballë asaj që ka ndodhur dhe shpreh ngushëllime dhe afërsi familjarëve të punëtorëve të ndjerë”, thuhet në njoftimin e Hekurudhave.

Kryetari i Komunës Brandizzo, Paolo Bodoni reagoi për ngjarjen e rëndë:

“Është një tragjedi. Nuk mund të përjashtohet që mund të ketë qenë një gabim komunikimi, në çdo rast do të duhet të pritet përfundimi i hetimeve. Për momentin nuk dihet identiteti i viktimave, por nuk janë bashkëqytetarë tanë”.