Tre vëllezër nën hetim për vrasje për hakmarrje në Debreshë të Gostivarit

Prokuroria themelore publike në Gostivar ka lëshuar urdhër për kryerjen e hetimeve kundër tre personave të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale vrasje. Sipas Prokurorisë, bëhet fjalë për tre vëllezër nga fshati Debreshë i Gostivarit, të cilët të martën për hakmarrje i kanë marrë jetën bashkëfshatarit të tyre, transmeton Portalb.mk.

“Tre vëllezër nga fshati Debreshë, më 23 korrik, me paramendim dhe për hakmarrje kanë privuar nga jeta një bashkëfshatar me të cilin kanë pasur mosmarrëveshje në periudhë më të gjatë kohore”, njoftoi Prokuroria Publike.

Në ditën kritike fillimisht ka ndodhur një përleshje fizike mes njërit prej vëllezërve dhe viktimës. Pas përleshjes, i dyshuari ka telefonuar edhe vëllezërit e tij, të cilët të revoltuar kanë marrë armë zjarri nga shtëpitë e tyre – një kallashnikov dhe një pistoletë.

Që të tre shkuan në shtëpinë e viktimës me një makinë “Volvo” me targa zvicerane. Kur e kanë gjetur, kanë qëlluar drejt tij si me pistoletë ashtu edhe me automatik, duke i shkaktuar plagë të shumta me armë zjarri nga të cilat viktima ka ndërruar jetë menjëherë.

Pas ngjarjes, tre vëllezërit u mbajtën në polici për 48 orë, deri në kryerjen e të gjitha ekspertizave.

Me fillimin e hetimeve është paraqitur propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit, pasi sipas Prokurorisë ekzistojnë rrethana që tregojnë për rrezik arratisjeje dhe frika e bazuar se do të pengojnë procedurën penale duke ndikuar mbi dëshmitarët e mundshëm.