Në pajtim me Ligjin e ri për arsim të mesëm, këtë vit maturantët do të kalojnë në tre provime të llojit përfundimtar – matura shtetërore, matura shtetërore profesionale dhe matura shtetërore artistike, raporton MIA.
Sipas kalendarit të Qendrës shtetërore të provimeve (QSHP), e cila i organizon dhe kryen provimet eksterne, maturën shtetërore 2025/2026 gjimnazistët do ta kalojnë më 6 qershor, për kur është caktuar testi në gjuhë angleze, gjuhë franceze, gjuhë gjermane, gjuhë ruse, gjuhë italiane, matematikë apo histori, ndërsa më 11 qershor do ta kalojnë provimin në gjuhë dhe letërsi amtare (gjuhë dhe letërsi maqedonase, gjuhë dhe letërsi shqipe, gjuhë dhe letërsi turke, gjuhë dhe letërsi serbe).
Nxënësit që do të kalojnë maturë shtetërore profesionale, provimin e parë intern do ta kalojnë, gjithashtu, më 6 qershor dhe do të zgjedhin mes testit për gjuhë angleze apo testit për matematikë. Provimin ekstern në gjuhë dhe letërsi amtare nxënësit e shkollave profsionale do ta kalojnë më 12 qershor.
Matura shtetërore artistike do të kalohet më 6 qershor (gjuhë angleze apo histori) dhe më 12 qershor – provimin në gjuhë dhe letërsi amtare (maqedonase, shqipe, turke përkatësisht serbe).
Ndryshe, në vitin shkollor 2024/2025 ishin regjistruar 15,004 nxënës për afatin e qershorit. Për shkak të përpjekjeve për kopjim dhe parregullsive të tjera, u anuluan testet e 172 nxënësve.