Tre aksidente me fatalitet në 24 orët e fundit në Kosovë, Policia me thirrje për kujdes të shtuar

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar tre aksidente me fatalitet, ku si pasojë kanë mbetur të vdekur tre persona, raporton Kallxo. Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar, ndërsa sipas Policisë, dy prej tre këtyre aksidenteve, kanë qenë vetëaksidente.

“Kjo është tepër shqetësuese pasi ne të dy rastet e raportuara kemi te bëjmë me vetaksidente, ku drejtuesit e automjeteve ose kanë humbur kontrollin mbi veturën ose kanë devijuar rrugën si rezultat i pakujdesisë, ku dyshohet edhe se ka ardhur deri tek pasojat fatale” – ka thënë zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

Policia ka bërë të ditur se sipas analizave të aksidenteve në trafik dhe shkaktarëve të tyre, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2024, rreth 24% të aksidenteve fatale janë vetëakisdente.

“Andaj apelojmë tek të gjithë shoferët në veçanti, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë vigjilent dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë shenjat rrugore dhe dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuoj në zvogëlimin e aksidenteve fatale dhe humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore si pasojë e pakujdesisë” – ka thënë zëdhënësi Hoxha.

Mëngjesin e sotëm, një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër në gjendje të rëndë shëndetësore, pas një aksidenti rreth orës 06:30 në autostradën “Arben Xhaferi”, drejtimi Lipjan – Prishtinë.

Kurse gjatë ditës së djeshme, një person ka vdekur e një tjetër është lënduar si pasojë e një aksidenti me motoçikletë në fshatin Shtupeq të Pejës.

Ndërsa po ashtu dje me 03.08.2024 në fshatin Perveqë të Klinës, një person gjeti vdekjen, pasi që pas një aksidenti vetura e tij u përfshi nga flakët.