Transparency Maqedoni: Raportit për punën e prokurorive publike i mungojnë informacione për mbrojtjen e sinjalizuesve

Transparency International-Maqedonia ka reaguar lidhur me Raportin e vitit 2023 për punën e prokurorive publike në RMV, pasi në të nuk ka asnjë informacion për termin sinjalizues. Nga Transparency shtojnë se duke marrë parasysh Ligjin për Mbrojtjen e Denoncuesve, Prokuroria Publike (PThP) ka autoritetin të krijojë një kanal sigurie për raportimin e jashtëm nga sinjalizuesit, transmeton Portalb.mk.

Raporti i fundit vjetor për vitin 2023, i cili është shpallur publikisht dhe dorëzuar në Kuvend, nuk përmban asnjë informacion në lidhje me termin sinjalizues.

“Informacion shtesë që duhet të jetë i shpallur publikisht dhe lehtësisht i disponueshëm për sinjalizuesit janë informacione për personat e emëruar për pranim të denoncimeve nga sinjalizuesit në institucion. Një informacion të tillë në ueb-faqen zyrtare të PTHP-së nuk ka ose është vendosur në një pozicion që nuk është lehtësisht i dukshëm. Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si autoritet me kompetenca për ndjekjen penale të kryerësve të krimeve, si dhe për të shtypur korrupsionin në shtet, mund të kontribuojë dukshëm në mbrojtjen e sinjalizuesve. Kjo është arsyeja pse ne besojmë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky institucion të përfshihet aktivisht në promovimin e mbrojtjes së sinjalizuesve si dhe rëndësinë e tyre në shoqëri”, thuhet në reagimin e Transparency.

Transparency International-Maqedoni konsideron se roli i PTHP-së në sigurimin e mbrojtjes së sinjalizuesve është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe për këto arsye propozon transparencë më të madhe, për të thjeshtuar dhe siguruar akses më të madh në kanalin për raportim të jashtëm në institucion. Dobësi të tilla, Transparency International-Maqedonia konstatoi edhe në Sistemin e Integritetit Kombëtar, në të cilin një nga rekomandimet për Prokurorinë Publike ishte nevoja për ofrimin e një kanali të mbrojtur për raportimin e sinjalizuesve bazuar në Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve.

“Të vetëdijshëm se institucioni përballet me mungesë të burimeve njerëzore dhe financiare, i bëjmë thirrje Kuvendit dhe Qeverisë, e veçanërisht Ministrisë së Financave, që të sigurojnë mjete që do të kontribuonin për tejkalimin e situatave të tilla. Gjithashtu, Transparency International-Maqedonia apelon që të vazhdojë procesi i miratimit të Ligjit të ri për raportim të mbrojtur dhe mbrojtje të sinjalizuesve, i cili është një mjet i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është në interes të të gjithë aktorëve të shoqërisë dhe neve na mbetet të punojmë së bashku në vazhdimësi dhe me përkushtim për reduktimin e tij”, shtojnë nga Transpatency.

Ndryshe, me ribalancin e buxhetit, Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut është me buxhet i cili është për rreth 8 përqind më i ulët nga ai të cilin e kanë marrë në fillim të vitit.

Ose, sipas buxhetit për vitin 2024 të cilin e miratoi pushteti i kaluar, Prokuroria Publike duhet të disponojë me 14,14 milionë euro. Sipas ribalancit, do të duhet ta përfundojnë vitin me 13,07 milionë euro.

Absurdi te shkurtimi është më i madh nëse dihet Ligji për Prokurorinë Publike, ku është përcaktuar se Prokuroria Publike duhet të ketë buxhet në lartësi prej 0,4 përqind nga Buxheti i shtetit. Sipas buxhetit të cilin e miratoi pushteti i kaluar në fillim të vitit, Prokuroria Publike duhej të disponojë me rreth 22,35 milionë euro, ndërsa u janë aprovuar vetëm 14,15 milionë euro.