Tragjedia dhe sistemi i shpërfytyruar

Në tragjedinë që ndodhi në Koçan e humbën jetën pesëdhjetë e nëntë të rinj e të reja. U shuan në pranverën e tyre jetësore. Kur ndodhin kësi tragjedish, fjalët janë të pafuqishme për ta shprehur dhimbjen. Mjerisht, brenda pak vitesh ndodhën disa tragjedi të rënda, sepse sistemi i shpërfytyruar nuk merakoset për sigurinë e qytetarëve.

Pas tragjedisë politikanët sillen si Edipi i mitologjisë greke. Edipi i kërkonte fajtorët gjetkë edhe pse vetë ishte fajtori. Derisa Edipi nuk e dinte që ishte shkaktari i gjëmës, politikanët që e krijuan me dekada sistemin e shpërfytyruar, i cili nuk u garanton siguri, drejtësi dhe mirëqenie qytetarëve, e dinë kush është fajtori, por e hedhin fajin gjetkë që t’i shpëtojnë përgjegjësisë.

Në një sistem të shpërfytyruar për gjithçka vendosin “tanët”. Organet e rendit nuk e mbrojnë qytetarin. Organet e drejtësisë ndajnë padrejtësi. Institucionet funksionojnë me direktiva nga lart. Punësimet bëhen në baza partiake…

“Ti e di, sistemi…”, kështu i justifikohet denoncuesi të burgosurit politik në filmin “Vdekja e kalit”. I burgosuri politik nuk hakmerret. Ai e di se nëse nuk do të ishte ky denoncues, sistemi do të gjente një tjetër.

Rokeri Lou Reed shkroi: “Çfarëdo sistemi që të shpikni pa ne, do të përmbyset”. Sistemi është i shpërfytyruar kur e privilegjon një pakicë, gjegjësisht politikanët e oligarkët e pangopshëm, dhe e përjashton shumicën e qytetarëve.

Sistemi i shpërfytyruar synon të ketë kontroll absolut mbi çdo sferë shoqërore. Edhe mbi mendimet dhe ndjenjat e njerëzve. Nëse e kundërshton, atëherë të demonizon, të linçon, të persekuton…

Gjatë historisë ka ndodhur shpesh herë që në emër të ndryshimit të një sistemi të shpërfytyruar, të krijohet sistem i njëjtë me dukje të re dhe me aktorë të ndryshëm. Kaluam nga sistemi njëpartiak në atë pluralist, por tek elitat politike mbizotëron vetëdija totalitare. Sipas një mendimtari, në çdo sistem totalitar ekziston vetëdija paratotalitare, por edhe në sistemet post totalitare ekziston vetëdija totalitare. Nëse në sistemin njëpartiak bëhej siç thoshte partia – shtet, në sistemin pluralist bëhet siç thotë partia në pushtet. Të jesh me partinë në pushtet, je “më i barabartë se të barabartët”. I gëzon të gjitha privilegjet.

Ndryshimi i një sistemi të shpërfytyruar është proces i gjatë. Paraprakisht duhet të ndryshojë vetëdija qytetare. Kjo vetëdije nuk ndryshon me uorkshope.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.