Toshkovski: Austria dhe Kroacia lejojnë lëvizjen e qytetarëve të Maqedonisë me pasaporta të vjetra

Austria dhe Kroacia kanë mirëkuptim për problemin me ndërrimin e dokumenteve dhe nuk u bëjnë probleme të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut gjatë lëvizjes së tyre në këto dy vende me pasaporta me emrin e vjetër kushtetues nëse kanë afat. Këtë ia përcollën sot ministrit të Brendshëm në Qeverinë teknike, Pançe Toshkovski, ambasadorët e Austrisë dhe Kroacisë në vend, Martin Pamer, përkatësisht Nives Tiganj, transmeton Portalb.mk.

“Lidhur me dokumentet e udhëtimit të Maqedonisë, dy ambasadorët theksuan se vendet e tyre e kanë mirëkuptimin e këtij problemi dhe po dalin të takojnë qytetarët  të cilët lirisht mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për lëvizje të lirë në Austri dhe Kroaci me dokumentet e vjetra të udhëtimit”, ka shkruar ministri i Punëve të Brendshme në Facebook.

Disa nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian së fundmi kanë treguar qëndrim fleksibil për lëvizjen e qytetarëve të Maqedonisë nëpër vendet e tyre me pasaporta me emrin e vjetër kushtetues, ndërsa në vend po bëhen përpjekje dhe po kërkohen zgjidhje për vonesën e ndërrimi i pasaportave.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut kishin afat për ndryshimin e dokumenteve personale deri më 13 shkurt të këtij viti. Pas kësaj date, qytetarët me pasaporta të vjetra nuk mund të udhëtojnë jashtë vendit. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.