Termini im do të “ndriçohet” me harduer të ri në vlerë 600 mijë euro

Ministria e Shëndetësisë ka blerë harduer për sistemin elektronik shëndetësor “Termini im” në vlerë prej 600 mijë euro. Tenderin e ka fituar shoqëria për inxhinieri informatike Neokom, ndërsa kontrata për prokurim publik është lidhur në fund të vitit, transmeton Portalb.mk.

Pajisjet harduerike për nevojat e Drejtorisë për shëndetësi elektronike “Termini im”, ndër të tjera, përfshijnë dy serverë për baza të të dhënave, me vend origjine Çekinë.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, për “Slloboden Peçat” tha se infrastruktura harduerike që nga viti 2010 nuk ishte ndryshuar fare.

“Serverët nga viti 2010 askush nuk i kishte ndërruar. Pajisjet e vjetra harduerike do të përdoren për qëllime administrative, ndërsa të rejat do të instalohen për sigurinë e të dhënave. Për pacientët kjo do të nënkuptojë infrastrukturë më të shpejtë, e cila më pas do të mund të lidhet me komponentë të rinj në digjitalizimin e Termini im”, tha Aliu.

Për problemet me shpejtësinë e “Termini im ” dhe rëniet e herëpashershme të sistemit, vazhdimisht kanë alarmuar mjekët amë.

Prokurimi i harduerit prej 600 mijë eurosh nuk sjell funksionalitete të reja për pacientët në këtë moment, por krijon bazën teknike të domosdoshme për funksionimin e pandërprerë të përditshëm të sistemit dhe për zhvillimin e tij të mëtejshëm.