TEOLOGËT DHE LEXIMI (II)

Sot, një pjesë e ligjërimit/ligjëruesve fetarë, i prezanton komunitetit një fe thanatosiste- vdekjeqendriste (“Ke me [v]dekë!”, “A dëshiron që Profeti Muhamed të jetë pjesë e xhenazes tënde?!”), me tema skajore  (“Çfarë do të kishe bërë nëse të vjen një gjarpër teksa falesh?!”), joaktuale (etika e udhëtimit: “muslimani merr rrugë për haxh, për xhihad, tregti”, pa bërë update, pa përmendur se muslimani mund të shkojë edhe për vizitë studimore, seminar, për një event kulturor, për turizëm; domethënë, hoxha, lexon një libër të shkruar para disa shekujsh dhe ashtu e përcjell, pa asnjë filtër, e mirëmenduar tekstin)… Nuk duhen harruar temat për detyrat e prindërve dhe fëmijëve, për devotshmërinë (takvaja)… bile edhe për abdesin që sot mund të mësohet nga mediet sociale (youtube e të tjera). Në rrjetet sociale, disa prej vërejtjeve të besimtarëve të shkolluar janë edhe këto: “Për xhuma, imami, që s’di çka me folë, përsërit fjalët e veta çdo javë; thjesht i lustron pak, sa për t’u dukur më ndryshe, por, në fakt, është e njëjta temë që ka trajtuar javën e kaluar. Imam tipik provincial.” “Lexo! Ke një javë kohë… Nëse nuk do të ishte detyrim xhumaja, nuk do të kisha shkuar kurrë për ta dëgjuar!” Në një bisedë të paradoditshme, një politolog i devotshëm tha: “Flasin sikur jemi në kohën e kryqëzatave!” Midis vaizëve ka të atillë që këshillojnë mosmësimin e anglishtes dhe frëngjishtes, ngaqë “këto dy kombe kanë bërë zullum ndaj njerëzimit dhe ndaj muslimanëve në veçanti”! Disa syresh, në vend që të merren me cilësinë e mësimeve që japin, krejt energjinë e tyre e kanë harxhuar për ndryshimin e shkallareve të minberit, që të mos ndërpriten safet.

Edhe ligjëratat e Ramazanit janë bërë aq monotone, saqë besimtarët e dinë se çfarë do të ligjërohet natë pas nate; disave u janë zverdhur edhe letrat që përdorin prej vitesh, pa shtuar gjë prej gjëje në to. Një pjesë e predikuesve nuk ia kanë haberin terminologjisë: s’bëjnë dallim mes ekstremit, ekstremitetit dhe ekstremizmit; midis dogmës dhe kredos; lidhin akika-n me seminarin e kështu me radhë. Ka edhe nga ata që bëjnë autogol përmes shprehjes “ideologji islame”. Krejt kjo si pasojë e mosleximit dhe shpërfilljes së mësimit mine’l-mehdi ila el-lahd (nga djepi deri në varr) që kultura moderne e ka përkthyer në “life-long education”.

Një librashitës në një prej qyteteve më të mëdha shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kur u pyet nga një mik predikues se a blejnë libra kolegët e tij, i ishte përgjigjur: Vetëm njëri. Respekt për përjashtime të tilla! Një hoxhë zotëron një bibliotekë me mbi katërmijë tituj. Një tjetër ka arritur të dokumentojë përmes një vepre bibliografike gati të gjitha botimet fetare në gjuhën shqipe prej vitit 1936 deri në 2020, si dhe të krijojë një bibliotekë ku të përfshihen pjesa dërrmuese e tyre. Lëvdata edhe për ata pak imamë që përgatitin ligjërata me pedanterinë e një kumtese publike, ku vërehet se me sens ka vënë edhe shenjat, presjet dhe dy pikat.

Por, në përgjithësi, nga një kurs në teologjinë që dominon, “pa lexim”, dalin besimtarë sipërfaqësorë dhe kuaziteologë; fetvaxhinj të çastit, dijetarë e shejhë pa dije; besimtarë të humbur në kohë dhe hapësirë, të atillë që vijnë vetëm për të kryer ritualin e jo për të marrë diç nga leksionet e “demotivuesve të papërgatitur”. Kjo letargji dhe ky diskurs në kominikimin fetar, shprehur me fjalët e A. H. Murad-it, nxjerr vetëm “tenfirizëm”, animozitet ndaj klerit, hoxhës, fesë dhe fetarisë, duke shkaktuar kështu desubjektivizimin e imamit.

Lexuesi i Leximet e një predikueseje mund të mësojë edhe nga “mangësitë e autores”, nga leximi që ajo u ka bërë disa teksteve pa i menduar apo shteruar siç duhet, respektivisht ato vepra që ajo i ka lënë përgjysmë për shkaqe të ndryshme, si pasojë e “fajit” të leximit të gjithçkaje që na bie në dorë. Pra, nga përvoja e predikueses në fjalë mësohet se duhet të jemi përzgjedhës, jo bibliofilë pa kushte; se duhet të zgjedhim vetë dhe të kemi edhe mentorë udhëzues se çfarë ia vlen të lexohet dhe çfarë jo, se jeta është e shkurtër. Siç shprehet vetë ajo, “nuk keni kohë për prova dhe gabime në zgjedhjen e librave”.

Një gjë që mësojmë nga ky libër është se duhet lexuar me një qëllim të caktuar, se mund të rastisim libra bujarë, dijeplotë, miqësorë, të sinqertë, fisnikë, karizmatikë, por edhe mashtrues, pesimistë, të mërzitshëm, të fryrë, madje edhe despotikë, por asnjëherë nuk duhet hequr dorë nga ky kompas që na ndihmon të zbulojmë botën dhe veten; nga ky vendstrehim përballë mizerjes së jetës. (Maugham)

Këtë libër, në fakt, duhet ta kuptojmë si një sociologji leximi (Dulin, 1974), si një sociologji kulturore të leximit, një disiplinë kjo që merret me mënyrën se si e mbështet leximi reflektimin personal dhe social; që trajton kuptimin, materialitetin dhe emocionet, rrjedhojat ekzistenciale, etike dhe politike të leximit. (Olave, 2022) Ndërsa këtë kolumnë duhet parë si një kritikë qëllimmirë që synon përmirësimin e gjendjes në një sferë jetike si kultura fetare dhe teologjia islame, me të cilën jemi qenësisht të lidhur. Kritika mund të zgjerohet edhe për profesionet dhe kategoritë e tjera sociale dhe shoqërinë shqiptare në përgjithësi, sepse kriza e leximit është e përgjithshme, jo e pjesshme; predikuesit e islamit nuk janë ishuj. INSTAT-i raporton se në vitin 2017, krahasuar me vitin pararendës, u shënua një përgjysmim i numrit të lexuesve në Bibliotekën Kombëtare. Kurse sipas “Euronews Albania”, në vitin 2022, 74.8% e shqiptarëve nuk kishin lexuar asnjë libër. Sipas studimit të ETEA-s dhe Dukagjinit, 38.3% e qytetarëve të Kosovës lexojnë vetëm 1-3 libra në vit. Në Shkup, një librari, hapja e së cilës u shoqërua me bujë në vitin 2021, u mbyll pa mbushur dot as një vit.

Sa mirë do të ishte sikur ky tekst dhe libri i trajtur të lëviznin një gur në ndryshimin e kësaj gjendjeje, të fuqizonte vetëdijen për leximin!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.