Të sëmurët me kancer presin rezultate për më shumë se një muaj, problemi do të zgjidhet me specializime

Të sëmurët me kancer nuk mund të fillojnë mjekimin pa marrë rezultatet e patologjisë, të cilat ndonjëherë i presin për shumë kohë. Në Institutin e Patologjisë ka 11 mjekë patologë, të cilët vitin e kaluar kanë kryer 30 mijë analiza. Ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, bëri të ditur se me planin për specializimet prioritet do të kenë edhe mjekët patologë, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Një banore e Sveti Nikoles sot ka ardhur në Shkup për të marrë rezultatet e mostrës që pulmologu e ka marrë nga trakeja e bashkëshortit të saj dhe që më 25 korrik janë dorëzuar për ekzaminim patologjik për shkak të sëmundjes malinje. Nga ajo ditë kanë kaluar tre javë, por askush nuk i ka njoftuar se kur do të jenë gati rezultatet dhe se si do të vazhdojë mjekimi.

Çdo ditë lajmërohem në Klinikën e Onkologjisë nga ku më thonë se ende nuk ka rezultate. Jam shumë e shqetësuar, shumë e pafuqishme, sepse nga ato rezultate varet se çfarë terapie do t’i japin. E përderisa presim, bashkëshorti im nuk merr kurrëfarë trajtimi dhe është bërë shumë keq. Pasqyra e gjakut i është përkeqësuar, është dobësuar, nuk ka fuqi. Në derën  e kujt të  trokas? Kemi mbetur vetëm, pa ilaç, në një situatë pa zgjidhje”, thotë gruaja e cila dëshiron të mbetet anonime.

Një banore e Manastirit është në pritje të rezultateve të biopsisë së kockave për babain e saj i cili vuan nga kanceri, nga Instituti i Patologjisë që nga 25 qershori. Biopsia është kërkuar që atij të mund t’i caktohet nëse do pranojë imunoterapi.

“Tani as nuk mund ta pranojë më atë imunoterapi. Çdo javë ndonjë nga anëtarët e familjes shkon në Institutin e Patologjisë, por atje çdo javë na thonë se nuk varet nga ato, rezultate nuk ka, ejani përsëri.  Nuk na pyesin nëse mund të vijmë nga Manastiri në Shkup“, thotë bashkëbiseduesja.

Sëmundja është e rëndë, pasiguria akoma më e rëndë

Shumica e të sëmurëve me kancer konfirmojnë se janë në pritje të rezultateve të analizave patologjike, qoftë nga Instituti i Patologjisë, apo nga Klinika e Onkologjisë, madje edhe për më shumë se një muaj, edhe pse u është thënë se do t’i marrin për dhjetë ditë.

Ata thonë se edhe një rezultat i keq është më mirë se asnjë rezultat, se çdo ditë e kaluar në pritje dhe pasiguri u ndikon keq në shëndetin e tyre tashmë të çrregulluar. Akoma më keq është se ata nuk e dinë se kur duhet të fillojnë me mjekimin,  ndërsa në ndërkohë sëmundja përparon.

Një gjashtëdhjetë vjeçar, banor i një qyteti në pjesën lindore të vendit, pesë muaj më parë është diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë. Ai i ka pritur rezultatet e kolonoskopisë, tani po pret rezultatet për pjesën e nxjerrë të zorrës së trashë. Tani, pesë muaj pas diagnostikimt, ai ende nuk ka filluar mjekimin.

“Më thanë që duhet të kalojë një muaj dhe pastaj të filloj me kimioterapi. Pasi kaluan 30 ditë, erdha në Shkup në Klinikën e Onkologjisë. Atje më thanë se rezultatet e biopsisë në Institutin e Patologjisë nuk janë gati dhe kur të jenë gati do t’i dërgojnë në Klinikën e Onkologjisë. Nga ajo ditë ka kaluar edhe një javë, por ende nuk kam asnjë sinjal se rezultatet janë gati dhe se mund të filloj me kimioterapi”, tha pacienti.

Biljana Veliçkova nga Shkupi tha se të njëjtin problem e kishte edhe në pranverë, kur ajo u operua nga kanceri i gjirit.

“Operacioni mu bë më 18 shkurt, kam pritur një muaj të tërë për rezultatet histopatologjike nga patologjia. Kur i mora rezultatet, doli që ishin qeliza kanceroze dhe që duhej hequr një pjesë e gjirit. Kur mjekët nga Instituti i Patologjisë e panë se ishte kanceroze, i dërguan në Klinikën e Onkologjisë. Në të dyja rastet për rezultate prita nga një muaj. Ju japin një numër në të cilin nuk përgjigjet askush, ndërsa ju prisni informacion për të ditur sa keq është. Kjo të bën ta luash mendjen. Rashë në depresion, fillova të pi barna kundër depresionit”, thotë Veliçkova.

11 patologë për 30.000 analiza në vjet

Vitin e kaluar 2023, Instituti i Patologjisë ka marrë rreth 30 mijë fletëudhëzime për analiza patologjike dhe/ose molekulare të materialeve biopsike, operative, citologjike dhe për obduksion. Analizat janë bërë nga 11 mjekë specialistë të patologjisë dhe 2 analistë molekularë, thanë nga Instituti i Patologjisë.

Këta mjekë, krahas aktivitetit shëndetësor, njëkohësisht marrin pjesë edhe në edukimin e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, Stomatologjisë dhe Farmacisë, si dhe të specializantëve të patologjisë.

Përveç kësaj, ky institut pranon materiale për analiza nga të gjitha klinikat dhe spitalet kryesore kirurgjikale dhe interne nga Shkupi dhe qytetet tjera.

“Rezultatet e materialeve të vogla të biopsisë që merren për diagnostikim fillestar dhe menaxhim adekuat të pacientëve apo trajtimit të mundshëm onkologjik para operativ, janë gati për 5 deri në 10 ditë pune. Për shumicën e materialeve operative me sëmundje malinje për të cilat nevojitet diagnozë përfundimtare dhe përcaktimin e fazës postoperative të sëmundjes, rezultatet janë gati për rreth katër javë, kohë kjo optimale për pranimin e terapisë në përputhje me protokollet botërore për trajtimin onkologjik postoperativ, sepse pacientët nuk mund të pranojnë terapi onkologjike menjëherë pas ndërhyrjes kirurgjikale”, thonë nga Instituti.

E përderisa numri i materialeve të marra për analiza nga viti në vit rritet, numri i specialistëve të patologjisë po zvogëlohet për shkak të pensionimit dhe të largimit të mjekëve në spitalet private, ndërsa punësimet e mjekëve të rinj janë minimale.

Nga HEMA-ONKO, shoqata e pacientëve me kancer dhe familjeve të tyre, thonë se pacientët kanë reaguar edhe tek ato.

“Sa i përket rezultateve të vonuara të gjetjeve histopatologjike, të cilat pacientët ndonjëherë i presin edhe më gjatë se afati i caktuar prej dhjetë ditësh, kemi marrë thirrje nga pacientë të cilët reagojnë se kjo periudhë në disa raste zgjatet dhe presin më shumë se një muaj. Arsyen e dinë më së miri institucionet shëndetësore që janë të përfshira drejtpërdrejt në këtë problem. Ne mendojmë se ndoshta një nga arsyet është edhe mungesa e reagensëve, pra materialeve të nevojshme për analizë”, thonë nga HEMAONKO.

Nga kjo Shoqatë u kanë kërkuar kompanive farmaceutike të dhurojnë reagensë për ta mbështetur Institutin e Patologjisë që do të përdoren për të testuar markerët diagnostikues dhe prediktivë për kancerin e gjirit dhe melanomën.

Nga ana tjetër, ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, bëri të ditur se Мinistria është duke përgatitur një plan për specializime, në të cilin prioritet do të kenë mjekët patologë, radiologë dhe anesteziologë.

“Të gjithë e dimë se ku qëndron problemi. Kemi mungesë radiologësh dhe patologësh. Kjo është arsyeja pse jo rrallë, por jo edhe shumë shpesh, ndodh që të vonojnë rezultatet. Ne po mundohemi ta menaxhojmë këtë situatë sa më mirë që mundemi. Megjithatë, përsëri – ndonjëherë ndodh, jo shpesh, që rezultati të vonojë. Nëse të gjitha rezultatet lexohen për 5 deri në 10 ditë, dhe një rezultat vonohet për dy ose tre muaj, vetëm për atë do të flasim. Por nuk po flasim për ato 99 përqind të rezultateve që nuk vonojnë më shumë se 10 ditë”, tha Taravari.

Numri i të sëmurëve me kancer në Maqedoninë e Veriut çdo vit po rritet. Vitin e kaluar në Klinikën e Onkologjisë janë trajtuar 96.000 pacientë, në vitin 2022 kanë qenë 87.000 pacientë, për dallim nga periudha 2017-2020 këtu janë trajtuar rreth 70.000 pacientë çdo vit.

Është rritur edhe numri i pacientëve të sapo diagnostikuar, kështu që vitin e kaluar janë regjistruar 4.652 persona të cilët për herë të parë janë diagnostikuar me kancer. Deri në fund të vitit 2024 pritet që numri i të sapo diagnostikuarve me sëmundje malinje të jetë më shumë se 5.000.