Të punësuarit në kulturë sërish protestuan para Qeverisë, atyre iu bashkuan edhe punonjës në institucione dhe ministri të tjera

Të punësuarit në Ministrinë e Kulturës, Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Agjencinë për Film edhe sot kanë protestuar para Qeverisë, sërish si më parë prej disa ditësh, raporton MIA. Përmes protestës paqësore ata shprehin pakënaqësinë e tyre për, siç thonë ata, të ardhurat e padenja mujore.

Siç thonë ata, në Ministrinë e Kulturës dhe Drejtorinë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, pagat e pothuajse 70 për qind të të punësuarve janë nën pagën mesatare në vend, dhe diferenca me pagat e punonjësve në të njëjtat pozita në institucionet nga lëmia e kulturës ishin nga 10.000 denarë.

Në protestë u theksua se punonjësit e këtyre tre institucioneve kërkojnë rritje pagash sipas shembullit të punonjësve të Ministrisë së Financave, të cilat me ligj u rritën për 30 për qind.

Branko Kostoski, kryetar i Organizatës sindikale në Ministrinë e Kulturës së AOGJSH, përkujtoi se për dhjetë ditë,  të punësuarit në Ministrinë e Kulturës, Drejtorinë dhe Agjencinë po protestojnë paqësisht para Qeverisë dhe Ministrisë së Financave.

“Identiteti i shtetit është kultura, kurse fytyra e Qeverisë është administrata. Ne jemi ndoshta një hallkë e vogël por domethënëse për t’i sjellë gjërat në krye”, tha ai në emër të të gjithë atyre që protestojnë.

Tërpe Deanoski, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSH), sqaroi se protesta po zgjerohet dhe se në të janë përfshirë edhe të punësuarit e Entit Shtetëror për Statistikë, Ministritë e Mjedisit Jetësor, Bujqësisë, Transportit dhe Lidhjeve. Protesta nuk ishte më vetëm për punonjësit e kulturës, por edhe për të gjithë punonjësit e administratës që mbulohen nga sindikata e AOGJSH.

“Dje kolegët nga bujqësia thanë. Nëse nuk rriten pagat sipas shembullit të Ministrisë së Financave, më nuk do të ndahen subvencione”, paralajmëroi Deanoski, duke theksuar rëndësinë e punës së të gjithë atyre punëtorëve që tani po protestojnë.