Taravari: Nuk do të studioja për mjekësi në Strugë, jam kundër fakulteteve ku regjistrohesh dhe pas 3-4 vitesh blen një diplomë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari do të kërkojë revizion në të gjitha fakultetet e mjekësisë në Maqedoni. Ai në podkastin “Pretres so Landov” është pyetur nëse do të studiojë për mjekësi në Fakultetin e Strugës, i njohur në opinion si “Fakulteti Merko”, ai u përgjigj: “Nuk do të studioja. Do të duhet revizion. Unë jam kundër të gjitha universiteteve ku ka dyshime, dyshime të sinqerta, që regjistrohesh dhe pas 3-4 vitesh mund të shkosh të blesh një diplomë”, transmeton Portalb.mk.

“Mendoj se duhet të ketë revizion në të gjitha universitetet. Shpresoj veçanërisht për fakultetet ​​e mjekësisë. Do të kem një takim me dekanët e fakulteteve të mjekësisë dhe veçanërisht me ministren e Arsimit, i cili është profesoreshë e respektuar dhe cilësore”.

Dje në seancën e parë të qeverisë është marrë vendim për anulimin e themelimit të fakultetit për mjekësi në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.

 17 qershor, Bordi i Akreditimit, i cili paraprakisht me 12 vota “për” miratoi hapjen e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë, në pronësi të familjes së kryetarit të komunës së Strugës, Ramiz Merko, vendosi që ta heqë akreditimin për themelimin e një institucion i tillë arsimor.

“Edhe pse Projekti për themelimin e Fakultetit nuk i plotësonte kushtet ligjore, Qeveria e mëparshme kishte sjellur vendim me të cilën kishte dhënë miratimin që i njejti të realizohet. Kjo është konstatuar nga institucionet kompetente pas revidimit të aktiviteteve te realizuara gjatë procedurës së deritanishme”, thuhet në njoftimin e MASh-it.

Në seancën e 9 prillit, qeveria e kaluar dha pëlqimin për themelimin e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë, i cili u botua në gazetën zyrtare më 15 prill gjatë fushatës parazgjedhore me nënshkrimin e kryeministrit Teknik Talat Xhaferi. Bordi i Akreditimit formoi Komisionin, i cili njëherë e ktheu projektin për rishikim, por herën tjetër dha dritën jeshile. Pastaj Bordi nxori vendim për akreditim për themelimin e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore në Universitetin Ndërkombëtar në Strugë.

Në Maqedoni ekzistojnë disa fakultete të mjekësisë, duke përfshirë Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, Shtip dhe Tetovë. Këto fakultete ofrojnë arsim në fusha të tilla si mjekësia e përgjithshme, infermierët/teknikët profesionistë, teknologët radiologjikë, terapia e të folurit dhe gjuhës dhe terapistë fizike. Vitin e kaluar, Institucioni Privat i Arsimit të Lartë International University “Vision” në Gostivar mori leje për themelimin e Fakultetit të Shkencave Shëndetësore.

Përndryshe, vitin e kaluar më 20 qershor, Departamenti i Shtetit e shpalli non grata kryetarin e Strugës Ramiz Merko për hyrje në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Departamenti i Shtetit tha më pas se si kryetar i komunës së Strugës, ai ka keqpërdorur fondet komunale dhe ka ndërhyrë në proceset gjyqësore dhe të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet dhe zyrtarët demokratikë. Në të njëjtën kohë, bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e rritur, Genci, Nazmie dhe Drenusha, u futën në listën e zezë të SHBA-ve.