U shtrenjtua çmimi i ujit të pijshëm në Tetovë

Në vend të 16,08 denarë për metër kub ujë, amvisëritë tani do të paguajnë 21,5 denarë për ujin e pijëshëm të konsumuar. Ky vendim u soll dje nga Këshilli i Komunës së Tetovës në seancën e 27-të, transmeton Portalb.mk.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” më datë 11.12.2023 dorëzoi kërkesë në Komisionin Rregullator për Energji dhe Shërbime të Ujit për përcaktimin e tarifës për furnizim me ujë të pijshëm ose furnizim me ujë për periudhën e rregulluar 2024-2026.

Zoran Andonovski, përfaqësuesi i NPK “Sharri” e cila është ndërmarrje e re e sapo forumuar që më parë ka funksionuar si njësi e ujësjellësit dhe kanalizimit në NPK “Tetova” theksoi se Komisioni Rregullator ka marrë vendim i cili është publikuar në Gazetën Zyrtare nr. 10, datë 16.01.2024, sipas të cilit Bordi Drejtues i NPK “Tetova” ka marrë vendim për vendosjen e tarifës për shërbimin e ujit-furnizimit me ujë të pijshëm.

“Tarifa e vendosur për amvisëri është 21,5 denarë për metër kub për të tri vitet 2024, 2025 dhe 2026. Si dhe 36,55 denarë për metër kub ujë për të gjithë shfrytëzuesit e tjerë si institucionet, personat juridikë, objektet shëndetësore dhe të tjera”, tha Zoran Andonovski.

Këshilltari nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Amet Rexhepi, në lidhje me përcaktimin e çmimores për ujë te amvisëritë dhe te shfrytëzuesit e tjerë tha se rregullorja e Komisionit Rregullator të Energjetikës nuk korrespondon me vendimin për përcaktimin e shërbimit të ujit për furnizim për pijë të ndërmarrjes

“KRRE për vitin 2024 2025 2026 e ka çmimoren në 20.90 denarë, këtu është 21.50, 21.50, 21.50 deri në vitin 2026. Në bazë të kujt e keni rritur çmimin duke e pasur çmimin prej KRRE-së, ku e keni bazuar këtë ngritjen e çmimit në ndërmarrje”, tha Rexhepi.

Ndërkaq, Andonovski nga NPK-ja tha se Bordi Drejtues mori vendim duke marrë parasysh të gjitha çmimet për të tre vitet.

“Çmimi prej 21.5 do ta rrumbullakoste çmimin. Është e drejtë e bordit drejtues”, tha Andonovski.

Foto: KRRE

Në seancë u vendos edhe tarifa për grumbullimin dhe mënjanimin e ujërave të zeza urbane për periudhën e rregulluar 2024-2026 di dhe çmimorja e NPK “Sharri” Tetovë për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Në seancën e kaluar të Këshillit Komunal, të 26-tën u miratua edhe çmimorja për grumbullimin dhe transportimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Tetovës.

Në janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.