Takim i shumëpritur i Presidentëve Biden dhe Xi në San Françisko

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai kinez, Xi Jinping, takohen të mërkurën në kompleksin historik Filoli, në San Françisko, për gati katër orë për të diskutuar rreth një game të gjerë çështjesh dypalëshe dhe globale, raporton VOA. Takimi zhvillohet në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, APEC.

Udhëheqësit e 21 vendeve anëtare të APEC-ut dhe qindra drejtues kompanish janë mbledhur në Kaliforni përpara takimit të shumëpritur.

Presidentët Biden dhe Xi nuk kanë qenë përballë njëri-tjetrit që kur biseduan për herë të fundit vitin e kaluar në Bali në kuadrin e takimit të G20-ës, dhe që nga ajo kohë ka patur tensionim të mëtejshëm të marrëdhënies mes dy vendeve, ndër të tjera edhe në lidhje me tregtinë dhe të drejtat e njeriut.

Megjithëse nuk priten zhvillime madhore gjatë këtij takimi, analistët thonë se qëllimi kryesor është rikonfirmimi i angazhimit për të stabilizuar marrëdhënien SHBA-Kinë dhe për të përgatitur terrenin për një bashkëpunim konstruktiv në të ardhmen, në veçanti për disa nga çështjet më urgjente globale, si Lindja e Mesme dhe Ukraina.

“A mundet Kina të ushtrojë trysni pas kuintave ndaj Putinit, që ai të kuptojë se nevojitet një paqe e negociuar që do të ishte e pranueshme për popullin ukrainas? A mundet Kina të ushtrojë trysni ndaj Iranit apo Hamasit që të bëjnë një hap pas dhe të gjendet një mënyrë për të stabilizuar gjërat në Lindjen e Mesme? Pra çështje të ndryshme, por për këtë bëhet diplomacia e nivelit të lartë. Shanset për dështim janë të mëdha, por nëse nuk bisedohet, nuk arrihet dot progres”, thotë Scott Kennedy, ekspert për Kinën në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Ministria e jashtme kineze tha se zoti Xi merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të APEC-ut bazuar në ftesën e Presidentit Biden. Punimet e takimit vazhdojnë deri ditën e shtunë.

Zyrtarët kinezë patën kërkuar që takimi dypalësh të bëhej në një tjetër vendndodhje nga ai i takimit të nivelit të lartë të APEC-ut, me synimin që bisedimet të zgjasin më shumë se ato të mbajtura vitin e kaluar në Bali të Indonezisë. Në atë kohë, Presidentët Biden dhe Xi u takuan për tre orë, në kuadrin e takimit të nivelit të lartë të grupit të 20 vendeve me ekonomitë më të mëdha, G20.