Tajfuni Yagi lë të paktën 74 të vdekur në Mianmar pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut

Të paktën 74 persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë janë ende të zhdukur në Mianmar pas përmbytjeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të dheut të shkaktuara nga tajfuni Yagi, njoftuan mediat shtetërore të dielën, transmeton Top Channel.

Përmbytjet në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta civile kanë prekur më shumë se 450 fshatra dhe lagje, sipas Agjencisë së Lajmeve të Myanmar (MNA).

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke u zhvilluar për të gjetur 89 persona ende të zhdukur. Rreth 65,000 shtëpi janë shkatërruar gjithashtu, sipas MNA.

Imazhet nga agjencia e lajmeve AFP treguan shtëpi dhe automjete të zhytura në qytetin e Taungoo, një orë në jug të kryeqytetit Naypyidaw. Imazhet e tjera tregojnë banorët duke evakuuar në varka dhe gomone me bambu, sendet e tyre të mbështjella me qese plastike.

Tajfuni Yagi, stuhia më e fuqishme e Azisë këtë vit, la një gjurmë shkatërrimi në të gjithë Azinë Juglindore dhe Kinën jugore pasi përfshiu rajonin me shira të dendur dhe erëra të forta.

Në Vietnam, numri i të vdekurve është rritur në të paktën 226 si rezultat i stuhisë dhe rrëshqitjeve të dheut dhe përmbytjeve që shkaktoi ajo, tha të enjten agjencia qeveritare e fatkeqësive, sipas Reuters.

Dhe në Tajlandë, nëntë persona vdiqën javën e kaluar nga moti i keq nga tajfuni, raportoi Reuters, duke cituar qeverinë tajlandeze.

Stuhitë po bëhen më intensive dhe më vdekjeprurëse nga ngrohja e oqeanit, kanë paralajmëruar prej kohësh shkencëtarët.