Sytë edhe jashtë shtetit, semimaturantët e Tetovës përballë zgjedhjes së shkollës së mesme (Video)

Interesimi i semimaturantëve të Tetovës për shkollën e mesme shkon drejt drejtimeve të cilat janë më të lehta për të depërtuar dhe për të gjetur punë edhe jashtë vendit, raporton Portalb.mk.

Nxënësit të cilët anketuam gjatë “Ditës së Hapur” të organizuar nga ana e shkollave të mesme të Tetovës, ishin të interesuar për drejtime të ndryshme.

Nuk përjashtojnë mundësitë që pas mbarimit të shkollës së mesme të dalin jashtë shtetit, për punë më të mirë, kryesisht në Gjermani.

Një nga nxënësit na tha se do të vazhdojë në shkollën tekstile.

“Po, shohim për grafik dizajn, më pëlqen. Besoj se do gjej (punë), do vazhdoj me fakultetin dhe do gjej ndonjë punë. Kam në plan të shkoj nga Gjermania”, tha nxënësi.

Një nxënëse tjetër u shpreh e interesuar për mjekësinë.

“Besoj se do gjej punë më shpejtë. Të gjithë shkollat e mesme janë të mira, por mjekësia më pëlqen se më shkon edhe e dua ta vazhdoj… Po,jashtë shtetit”, tha nxënësja.

Ndërsa një nxënës tjetër tregoi interesim për gjimnazin.

“Ka drejtime tjera me biznes, do të doja të kem sukses tani nuk e di çfarë të vijë në të ardhmen”, tha nxënësi.

Interesimi kohëve të fundit është i dobët te shkollat profesionale. Kështu u shpreh Muzafer Livoreka, drejtori i shkollës së mesme tekstile Gjoce Stojçeski. Ai theksoi se ka mungesë të nxënësve, ku vetëm vitin e kaluar kanë pasur 108 nxënës më pak.

“Prindërit janë shumë pak të interesuar të vijnë të shohin çfarë ka në shkollën tonë. Lirisht mund të them se drejtimet për në shkollën tonë janë pak të interesuar. Unë mund të them diçka ndryshe, por nuk është ajo”, tha Livoreka.

Nga ana tjetër, interesimi nuk është i ulët për shkollën ekonomike “8 shtatori”. Kështu thanë përfaqësuesit nga kjo shkollë.

“Ne si shkollë kemi pasur një rritje konstante, nuk kemi pasur ende rënie. Mungesa e semimaturantëve reflekton diku por nuk është ndjerë te shkolla jonë… Interesim ka.”, thane nga shkolla ekonomike.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se ka programe të larmishme të cilat mund të jenë atraktive për nxënësit.

“Vetë prezantimi i programeve dhe vetë shkollave tregon një qasje të re të hapjes së shkollave dhe në një farë forme një konkurrencë drejtë një arsimi më kualitativ”, tha Kasami.

Ai mes tjerash theksoi se do të bëhet riorganizimi i shkollave dhe se pret bashkëpunim më të mirë me Ministrinë e Arsimit në Qeverinë e re.

Kujtojmë që në Tetovë ka 6 shkolla të mesme, ndërsa viteve të fundit për shkak të migrimit të popullsisë numri i nxënësve ka rënë ndjeshëm.