“Spitzenkandidaten” në periudhën parazgjedhore evropiane

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Të munguarit në rol kryesor

Termi “Spitzenkandidaten përdoret kryesisht në formën e tij origjinale, në gjuhën gjermane. Në një kuptim më të ngushtë ai u referohet kandidatëve për president të Komisionit Evropian (KE) që konkurrojnë, gjegjësisht që i përfaqësojnë grupet më të mëdha politike evropiane në fushatën parazgjedhore. Në një kuptim më të gjerë ai nënkupton “një proces të kadidatëve kryesorë” – procedurë për kandidimin e njeriut të parë të Komisionit Evropian. Sipas ligjit të BE-së pas zgjedhjeve kandidatin për president të Komisionit Evropian e propozon Këshilli Evropian me shumicë prej dy të treta të votave, ndërsa Parlamenti Evropian e zgjedh atë me shumicë absolute. Me procesin e Spitzkandidaten, secili grup politik evropian duhet t’i prezantojë kandidatët për president të KE-së para zgjedhjeve, ata duhet ta prezantojnë programin e tyre dhe të marrin pjesë në fushatë. Dhe ajo që është me shumë rëndësi është se kandidatin duhet ta propozojë partia që ka fituar më shumë vende në Parlamentin Evropian.

Procedura për Spitzkandidaten nuk ka bazë ligjore të fortë. Traktati i Lisbonës vetëm obligon që gjatë zgjedhjes së Presidentit të Komisionit të merren parasysh rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Ky proces në thelb është një marrëveshje politike e mbështetur në disa rezoluta të Parlamentit Evropian. Gjithashtu është edhe rezultat i luftës së Parlamentit Evropian për të fituar më shumë pushtet dhe autoritet në raport me institucionet e tjera evropiane. Pas kësaj ideje qëndron insistimi për më shumë transparencë, një shkallë më të lartë të legjitimitetit demokratik dhe për më shumë qartësi në procesin zgjedhor, gjë që duhet të ketë si rezultat një dalje më të madhe në zgjedhjet evropiane. Megjithatë, rritja e daljes në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian nuk shpjegohet drejtpërdrejt me këtë proces.

Grafik: Dalja e votuesve në zgjedhjet për Parlamentin Evropian 1979-2019. Burimi: Statista
Grafik: Dalja e votuesve në zgjedhjet për Parlamentin Evropian 1979-2019. Burimi: Statista

Deri më tani ky parim ka dhënë rezultate jo të barabarta. Ai për herë të parë u zbatua dhe u respektua në vitin 2014 gjatë zgjedhjes së Jean-Claude Juncker si President i KE-së. Mirëpo, pas zgjedhjeve të vitit 2019 procedura u shkel për shkak se Këshilli Evropian – krerët e shteteve/qeverive – i refuzuan kandidatët kryesorë dhe e zgjodhën Presidenten aktuale von der Leyen, e cila paraprakisht nuk ishte kandidat.

Në insistimin për t’i afruar institucionet evropiane me qytetarët Parlamenti Evropian dhe Unioni Evropian i Transmetuesve në këtë periudhë parazgjedhore organizuan një debat në Spitzkandidaten, i cili u transmetua në Eurovizion. Në fund të muajit prill dhe kah mesi i muajit maj u organizuar edhe dy debate paraprake, të cilat u organizuan nga subjekte të tjera. Për dallim nga debatet e mëparshme në debatin e fundit nuk u ftuan partitë e ekstremit të djathtë, me arsyetimin se ato nuk e pranojnë parimin e Spitzkandidaten dhe nuk kanë ofruar kandidatë për kryetar të KE-së. Këto parti ishin Identiteti dhe Demokracia dhe Konservatorët dhe Reformistët Evropianë. Kështu, në debat morën pjesë kandidatët kryesorë: Walter Bayer, (E Majta), Sandro Gozzi (Rimëkëmbja e Evropës), Terry Reintke (Të Gjelbërit), Nicholas Schmidt – Socialistët dhe Ursula von der Leyen (Konservatorët).

Pavarësisht mungesës së përfaqësuesve të ekstremit të djathtë, pikërisht ajo ishte tema kryesore e debatit. Ndërkohë të gjithë kandidatët e tjerë u përplasën me von der Leyen, e cila i hapi dyert për bashkëpunim me partinë e Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë në krye të së cilës është Kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Von der Leyen caktoi tre kushte të domosdoshme sa i përket bashkëpunimit me partitë e tjera politike, të cilat duhet: të jenë pro-evropiane, të jenë pro-ukrainës (që do të thotë kundër Putinit) dhe të jenë pro sundimit të ligjit. Por, edhe të gjitha palët e tjera në debat pajtohen me këto kushte. Ajo për çka ata nuk pajtohen është vlerësimi se cilat parti i plotësojnë këto kritere. Dhe pikërisht për këtë çështje debati i përjetoi momentet e tij më të nxehta, kur kandidatët e tjerë ia mbyllën dyert një bashkëpunimi të tillë, me pretendimin se politika e Maloney-t nuk është në përputhje me vlerat evropiane, sidomos kur bëhet fjalë për mediat dhe të drejtat e grave. Von der Leyen madje u paralajmërua se çdo afërsi me Maloney-n nënkuptonte distancimin e saj nga të tjerët. Deri në çfarë mase do të mbeten qëndrimet e tilla është e pasigurt, sidomos nëse e kemi parasysh se disa nga partitë e tjera politike evropiane në nivel kombëtar janë në koalicion me anëtarët e KRE-së.

Megjithatë, më të rëndësishme do jenë rezultatet e zgjedhjeve. Hulumtimet e fundit të opinionit publik tregojnë se koalicioni aktual i Partisë Popullore Evropiane, Social Demokratëve dhe Ripërtëritja e Evropës mund të ruhet, por numri i projektuar i rritur i eurodeputetëve të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë të Melonit, përkundër numrit të reduktuar të Ripërtëritjes (Macron) është e qartë se i përzien kartat.

Projektimet e fundit të numrit të deputetëve në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor të vitit 2024,burimi: Wikipedia
Projektimet e fundit të numrit të deputetëve në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor të vitit 2024,burimi: Wikipedia

Edhe pse rezultatin do ta diktojnë realitetet politike pas zgjedhjeve, debati aktual dhe kundërshtimet e ashpra pikërisht rreth çështjeve kyçe për atë se çfarë përfaqëson BE-ja në sytë e subjekteve të saj politike sigurisht që do të lënë një gjurmë të përhershme.

Drejt zgjedhjeve evropiane: çfarë duhet të dinë të gjithë?