Spitali i Kërçovës do fillojë të ndërtohet në fillim të vitit 2025 dhe për dy vite do të jetë gati, paralajmëroi Taravari

Kërçova assesi të bëhet me objekt të ri spitali, premtimet zvarriten me dekada ndërsa në terren situata mbetet e pa ndryshuar. Për objektin e ri të Spitalit të Kërçovës ministri i Shëndetësisë Arben Taravari paralajmëroi se punimet do nisin në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të përfundojnë për dy vite, shkruan Portalb.mk.

Taravari duke iu përgjigjur pyetjes së Portalb.mk tha se ky spital ka filluar të ndërtohet në 1996 dhe ende është vetëm karabina asgjë më shumë, siç tha ai ashtu është dukur prej para 30 vjetësh.

“Ne kemi plane serioze që paralelisht edhe Spitali Klinik i Shtipit edhe Spitali i Përgjithshëm i Kërçovës të fillojë me ndërtim diku nga fillimi i vitit të ardhshëm. Por na lejoni, jemi duke bërë fizibilitet duke e skenuar situatën deri ku janë punimet në njërin dhe tjetrin spital”, tha Taravari.

Ai shtoi se pas kësaj, do të , marrin ofertën më të mirë të mundshme që të kushtëzojnë që cilado kompani që ta merr që ta kryejë këtë obligim për dy vjet.

Objekti i spitalit të ri të Kërçovës, ka filluar të ndërtohet që nga vitet e 90-ta. Kërçovarët vazhdojnë t’i marrin shërbimet shëndetësore në hapësirat e spitalit të vjetër, pavarësisht se autoritetet lokale dhe qendrore disa herë u kanë premtuar spital me kushte moderne. Spitali, i cili do të duhej t’u shërbente pacientëve, sot është bërë vendstrehim për qentë endacakë.