Spektakël dhe emocione në përmbyllje të Festivalit të Këngës në RTSH
Me emocione, art dhe muzikë cilësore, ka përfunduar me sukses Festivali i Këngës në RTSH. Netët festivalore sollën interpretime të fuqishme, këngë konkurruese dhe një skenë që dëshmoi edhe një herë se muzika shqiptare ka zë, identitet dhe talent. Festivali bashkoi artistë të njohur dhe emra të rinj, duke krijuar një atmosferë festive dhe duke rikthyer vëmendjen te vlerat muzikore dhe krijimtaria autentike. Publiku përjetoi emocione të forta, ndërsa juria dhe vota e publikut përcaktuan fituesit e këtij edicioni, shkruan Portalb.mk.
Alis me këngën “Nân” ka rrëmbyer çmimin e parë të Festivalit të 64 të Këngës në RTSH, duke fituar si zemrat e publikut, ashtu edhe vlerësimin maksimal të jurisë. Ky sukses i siguron artistit të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision 2026, që do të zhvillohet në Vjenë, Austri.
Performanca e Alis u veçua për potencën vokale të jashtëzakonshme, interpretimin unik dhe një mesazh universal për dashurinë, duke e bërë këngën “Nân” të prekë publikun në mënyrë të veçantë. Emocioni dhe energjia që Alis transmetoi në skenë krijuan një moment të paharrueshëm të natës finale, i shoqëruar me ovacione dhe duartrokitje të gjata.
Çmimi i parë iu dorëzua Alis nga kryetari i jurisë së Festivalit të Këngës, Ramë Lahaj. Në total, Alis grumbulloi 152 pikë nga kombinimi i votave të publikut dhe pikëve të jurisë.
Në vendin e dytë u rendit Inis Neziri me 102 pikë, ndërsa Sheila u pozicionua në vendin e tretë me 93 pikë.
Sipas vlerësimit të jurisë profesionale, Alis u rendit në vendin e parë, Sheila në vendin e dytë dhe Vedat Ademi në vendin e tretë. Formula e votimit për përcaktimin e fituesit ishte 50% pikët e jurisë dhe 50% votat e publikut, duke garantuar një rezultat të balancuar dhe transparent.
Në natën finale garuan 23 këngëtarë. Lista e 23 këngëtarëve finalistë u plotësua pas kalimit në finale të 5 këngëtarëve debutues në këtë festival.
Këngëtarja Bleona Qerreti çeli siparin e natës finale me një performancë speciale të këngës “Lërmëni”. Spektakli është i ndërthurur me momente speciale artistike. Në skenë zbritën dy emra të mëdhenj të muzikës shqiptare, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka, që performuan një duet emocionues.
Në natën finale të Festivalit të 64 të Këngës, Elsa Lila dhe Aleksandër Gjoka sollën një performancë që do të mbahet mend gjatë. Kënga e tyre, “Vibracione”, përcolli emocione dhe ngriti në këmbë publikun me ovacione të gjatë dhe duartrokitje të pandërprera.
Zëri brilant i Elsa Lilës dhe timbri i paarritshëm nga askush i Aleksandër Gjokës krijuan një kombinim perfekt, duke treguar edhe një herë pse konsiderohen ndër artistët më të mëdhenj të skenës shqiptare.
Pas interpretimit, Elsa Lila i kushtoi një falënderim të veçantë publikut.
“Ju në sallë dhe ata që po na ndiqni nga shtëpia, falë jush ne artistët ende ekzistojmë. Ju falënderojmë për dashurinë dhe mbështetjen që na keni dhuruar të gjithë këto vite”, tha ajo.
Ndërkohë, Aleksandër Gjoka u shpreh me sinqeritet se u “ndje shumë mirë dhe i emocionuar.”
Performanca e tyre emocionuese mbushi skenën dhe zemrat e publikut, duke krijuar një moment të paharrueshëm në Fest 64.
Producentja dhe autorja e Festivalit të 64-t të Këngës, Beljoza Çoku, foli për prapaskenat e këtij edicioni dhe për rëndësinë e tij në jetën artistike të vendit.
“Festivali është një sipërmarrje tejet e madhe, sepse bashkon të gjithë artistët në eventin më të rëndësishëm artistik në vend. Ai do të mbetet gjithmonë simbol i ngjarjes artistike më të madhe të vitit, por edhe i jetës artistike në përgjithësi,” tha Çoku.
Ajo shtoi se qëllimi dhe filozofia e projektit është të evidentojë talentin dhe aftësitë e vërteta të artistëve.
“Ky standard i ngritur ndër vite ka rritur produktivitetin dhe cilësinë e të gjitha produkteve që kanë sjellë artistët, veçanërisht në këngën e lehtë. Pas kuintave punon një trup i madh njerëzish, dhe shkëlqimi që shikoni në skenë është rezultat i shumë vështirësive dhe përkushtimit”, u shpreh Çoku.
Festivali Evropian i Këngës ‘Eurovizion’ 2026 do të mbahet në Vjenë të Austrisë pasi JJ me këngën “Ëasted Love” i sollën fitoren këtij shteti në vitin 2025.