Solo këngëtari nga Kumanova Ismet Veseli fitoi çmimin “Grand Prix the Best”
Solo këngëtari nga Kumanova Ismet Veseli është fitues i çmimit “Grand Prix the Best”. Spektakli i veçantë “GRAND PRIX” organizohet çdo vit nga TV21 ku bëhet ndarja e çmimeve të ndryshme për arritje në sfera të ndryshme, transmeton Portalb.mk.
Ismet Veseli për Portalb.mk tha se vlerësimet nga publiku, po edhe çmimet sikur ai i mbrëmshmi, janë vetëm përgjigje e të gjithë punës që bëjnë për artin në përgjithësi e muzikën në veçanti.
“Është gjithmonë kënaqësi të ndjehesh i vlerësuar nga njerëzit, mediat, institucionet e duhura. Patjetër, vlerësimet pozitive janë shtysë për të vazhduar punën qe ne bëjmë çdo ditë, sepse arti i këndimit kërkon ushtrime çdo ditore dhe përkushtim maksimal”, tha Veseli.
Se cilat janë sukseset të cilat e kanë shoqëruar këtë vit, Veseli shtoi:
“Viti 2024 solli për mua dy role të ndryshme, të cilat i këndova në skena të ndryshme”.
Veseli këtë vit, si sukses i veçoi disa shfaqje në Tiranë, Gjakovë e Zagreb.
“Do të dalloja shfaqjet dhe debutimet në Teatrin e Operës në Tiranë dhe Gjakovë, gjithashtu një opera moderne të cilën e realizuam në kuadër të “Privocalfest” në Prishtinë dhe një koncert shumë të suksesshëm në Zagreb”, tha Veseli.
Ndryshe, në këtë aktivitet u ndanë edhe shumë mirënjohje të tjera për personalitete të ndryshme.
