Skënderbeu i dytë shqiptar

Librin “Ismail Qemali – jeta dhe vepra”, të botuar në vitin 1962, Skënder Luarasi e nis me krahasimin e Skënderbeut me Ismail Qermalin. Heroi ynë kombëtar, thotë ai, mund të krahasohet me Ismail Qemalin, i cili, në fillim të karierës, njësoj si Skënderbeu, u prit mirë në rrethet e larta të kierarkisë turke, kurse lufta kundër këtij patrioti nisi atëherë kur bota turke e pa se mendonte si shqiptar…

Ismail Qemali u lind në një familje të kamur e atdhetare dhe pati fatin të ndjekë shkolla të mira. Ai qe i dhënë pas matematikës dhe gjuhëve. Që në fillore e mësoi turqishten, për të vazhduar më pas me italishten, frëngjishten, arabishten, greqishten e vjetër dhe latinishten. Në gjimnazin Zosimea u mbrujt me idealet e iluministëve borgjez francizë, gjë që e bëri liberal si ideolog dhe politikan.

Dija dhe aftësitë e jashtëzakonshme ia mundësuan të kryejë detyra të larta, fillimisht në zyrën e përkthimeve të Ministrisë së punëve të jashtme të Perandorisë Osmane. Më pas u emërua shef kabineti i valiut të Thesalisë, kyetar i qeverisë në Janinë, kryesekretar i Vilajetit të Bagdadit, prefekt i Varnës, president i Komisionit Evropian të Danubit etj. Kreu dhe detyra të tjera, të cilat nuk mund t’i kryente gjithkush. Por, edhe në këso kushtesh të mira, Ismail Qemali e bëri qëllim jete përpjekjet për emancipimin e shqiptarëve dhe çlirimin e atdheut.

Se sa çmoheshin aftësitë e Ismail Qemalit flet lutja që ia drejtoi sulltani në vitin 1892, për të pergatitur raportin mbi reformat dhe politikën që duhej të ndiqej, në të cilin ai përshkroi gjendjen e mjerueshme të Perandorisë dhe nevojën për ndryshime të menjëhershme. Raporte për çështje të rëndësishme iu kërkuan edhe për gjendjen në Egjipt dhe politikën që duhej të ndiqej ndaj këtij vendi; për gjendjen në Armeni dhe për gjendjen e përgjithshme të Perandorisë. Por, përkundër gjithë shërbimeve që bëri, përkundër të dhënës se asokohe, nuk angazhohej për disfatën e Turqisë, Ismail Qemali konsiderohej i rrezikshëm për sundimtarët turq, si gjithë bashkëkombësit që nuk donin ta linin atdheun në mëshirën e fatit. Për shkak të dyshimeve në fjalë, ia ndaluan botimin e të përdyjavshmes Mexhra-Efkiar (“Rrjedha e ideve”), ia pamundësuan kontaktet me diplomatët e huaj dhe pranimet e ftesave për të udhëtuar në vendet tjera dhe u ndoq nga spiunë të shumtë, që mund ta arrestonin ose ta vrisnin në çdo moment. Jo rastësisht u internua 7 vjet në fshatin Kutahia të Anadollit, ku obligohej të paguajë qira për burgun dhe kujdestarin e burgut. Megjithatë e ruajti vullnetin për organizimin e rezistencës kundër hegjemonizmit të Fuqive të Mëdha, që nëpërmjet traktateve dhe konferencave fashizoide i dëmtuan rëndë trojet shqiptare.

Ismail Qemali e dinte prej kohësh se sistemit feudal anadollak i kishte kaluar koha, sepse qe zhytur në korrupcion dhe nuk mund të bënte asnjë lloj reforme. Kjo gjendje e përkeqësoi jetën e popujve të perandorisë, shtoi diskriminimin racor, nacional dhe fetar, të cilin Ismaili nuk mund ta duronte. Ai e dinte më mirë se kushdo tjetër se, në këso rrethanash, shqiptarët mund ta humbnin mundësinë e krijimit të shtetit të tyre, ndaj protestonte dhe i kërkonte me ngulm sulltanit që të preokupohet seriozisht me reformat e thella për ndryshimin e sistemit politik dhe ekonomik dhe të përmirësojë raportet me etnitë joturke, si puna e shqiptarëve, për të cilët, fillimisht kërkoi autonomi. Ky qe shkaku i braktisjes së Stambollit dhe ofiqeve të larta të sulltanit, prej të cilit nuk mund të fitonte asgjë që do të ishte në favor të çështjes shqiptare. Këtu zë fill dhe nisja e betejës së hapur për çlirimin e Shqipërisë nga zgjedha e huaj. Në këtë rrugë ai nuk ra pre e joshjeve greke, që i kërkuan formimin e një federate shqiptaro-greke, por kërkoi prej tyre një bashkëpunim kundër bullgarëve që rrezikonin të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë. Këtë qëllim e theksoi edhe në Romë, Gjenevë, Bruksel dhe kudo tjetër, por shtetet perëndimore nuk e përkrahën, sepse interesi i tyre nuk përputhej me interesin e shqiptarëve. I vetëdijshëm se në këso rrethanash Shqipëria mund të copëtohej nga fqinjët, në një numër të revistës “Albania”, Ismail Qemali shkroi: Ne nuk ia duam të keqen Turqisë, por këtej e tutje duhet të kujdesemi, që, po u zhbë Turqia nga faji i vet, të mos bjerë edhe Shqipëria, sepse ne jemi gati për të jetuar një jetë kombëtare.

Një apel të ngjashëm e botoi edhe në “Albaninë e Vogël” të Konicës, në të cilën shkroi: Shqiptarët që rrojnë në vise të tjera të Turqisë evropiane, duhet ta shikoijnë veten si një trup dhe një popull i vetëm, pa dallim fisi dhe feje; duhet të jenë të gjithë si vëllezër… Ata duhet të jetojnë në paqe me fqinjët dhe të njohin të drejtat e tyre, po as fqinjët nuk duhet të ushqejnë qëllime të liga kundrejt popullit tone.

Brenga që e mundonte më shumë Ismailin ishte prapammbetja e Shqipërisë. Ai thoshte: Po të shikojmë mirë krahinat ku jeton raca jonë, do të bindemi se ndryshimi mes nesh dhe të tjerëve është shumë i madh. Ne kemi fusha madhështore, por të papunuara; lumenj që mund të vaditin tokën, por të pashfrytëzuar; pyje që mund të ishin burim pasurie, por që mbeten të paprekura e të egra; miniera të çmuara, për të cilat nuk interesohet njeri… Ne nuk kemi rrugë, nuk kemi ura, nuk kemi siguri dhe fajin për këtë e ka qeveria, e cila nuk e do përparimin e popujve dhe lejon të shuhet dhe të katandiset si mos më këq.

Nuk ka asnjë dyshim se prijësit e Perandorisë e dinin mirëfilli rrezikun që u kanosej nga pakënaqësitë në rritje të popujve të vegjël, ndaj tentuan ta evropianizojnë Turqinë nëpërmjet reformave xhonturke. Për këtë shkak ata kërkuan kthimin e Ismail Qemalit në Stamboll edhe pas dënimit të tij me vdekje, sepse pa të nuk mund të realizonin synimet. I bindur se kësaj here ndoshta do të mund të bëjë diçka për të mirën e shqiptarëve, ai u kthye ta ndihmojë Perandorinë. Pranoi të bëhet deputet i shqiptarëve, bashkë me Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Shahin Kolonjën dhe disa të tjerë. Më 1908 ata formuan partinë “Ahrar”, që në programin e saj kishte si prioritet decentralizimin e administratës dhe autonominë e provincave nacionale, që asokohe do të ishte edhe në favor të shqiptarëve. Megjithatë, edhe kjo përpjekje dështoi dhe vrau përfundimisht iluzionin e shumëkujt se “turqit e rinj” ishin çliruar nga shovinizmi dhe mund të siguronin lirinë për popujt e Perandorisë. Kjo hapi rrugën e pavarësimit të Shqipërisë dhe çoi në vend atë që Ismail Qemali ua kishte thënë vite më parë kryengritësve të Ferizajit: Nuk jam as me turqit e vjetër as me turqit e rinj, po me Shqipërinë, të cilën e beri shtet më 28  Nëntor të vitit 1912.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.