Sistemi VAR hidhet në gjyq, nisi procesi për plagjiaturë të teknologjisë

Gjykatat mund të ndalojnë përkohësisht përdorimin e sistemit të Video Arbitrit në të gjitha garat zyrtare. Një konflikt mbi autorësinë e shpikjes mund të jetë shkas që këtë teknologji të mos shohim, të paktën përkohësisht në ndeshjet e futbollit, raporton Klan.

Këtë të martë është hapur në Madrid procesi gjyqësor që do të vendosë nëse VAR-i do të ndalojë së përdoruri apo jo. Mediat raportojnë se spanjolli Francisco López nga Madridi, pretendon me prova të vërteta se ideja e tij për videoarbitrin është plagjiaturë.

Francisco është përpjekur për shtatë vjet që të njihet autorësia e tij në shpikjen e kësaj teknologjie, për të cilën federata e futbollit vendase si dhe FIFA janë në dijeni.

Sipas Lopez, projekti i miratuar nga FIFA dhe UEFA është bërë në bazë të projektit të tij, të cilin e ka regjistruar në Regjistrin e Përgjithshëm të Pronësisë Intelektuale në vitin 1999. Ndërsa VAR që njohim sot është regjistruar në vitin 2006.

Tashmë duket se më në fund ai ka arritur ta çojë cështjen në gjyq. Francisco López pretendon 300 milionë Euro për plagjiaturën e shpikjes së tij.