“Sinfonia e natyrës përmes artit”, Luze Mustafa nesër në Strugë do të sjellë harmoninë e artit dhe peizazhit
Nesër më (14 gusht), në ambientet e Pallatit të Kulturës (Kinemaja) në Strugë, me fillim nga ora 19:00, hapet ekspozita “Sinfonia e natyrës përmes artit”, nga artistja Luze Mustafa, nën kurimin e profesorit Mixhait Pollozhanit, shkruan Portalb.mk.
Artistja Luze Mustafa për Portalb.mk tha se artistët janë ata që përmes artit sjellin një këndvështrim tjetër për natyrën dhe vendin ku jeton.
“Ideja e realizimit të kësaj ekspozite ka qenë që në kohën kur kam qenë studente. Në atë kohë, si prioritet e kisha të studioja perspektiven, qytetin dhe jetën urbane. Kështu që kjo ekspozitë është edhe si përmbyllje e një projekti të pa përfunduar para 18 viteve. Natyra është një element frymëzimi për shumë artistë. Artistët janë ata që përmes artit sjellin një këndvështrim tjetër për natyrën dhe vendin ku jeton. Kështu që ky cikël pikturash është një mënyrë se si e shoh unë Strugën. Ky është një mesazh për të parë Strugën në një këndvështrim tjetër. Për dallim nga ekspozita e kaluar ku si prioritet ka qenë pikturat me materiale, kollazh dhe mozaik. Këtë cikël e kam realizuar vaj në pëlhurë dhe e kombinuar me laps dhe stilolaps. Këtë vit është në planet e mija realizimi i një ekspozite tjetër që do të mbahet në nëntor në Gostivar, ku do prezantohem me një natyrë dhe një stil më ekspresiv, ku natyra dhe zambakët e ujit do të jenë në prioritet”, tha Mustafa.
Ajo edhe më tej shtoi se Strugën nuk e ka vështirë për ta pikturuar, frymëzimin e gjen në çdo cep të saj.
“Struga është një qytet shumë i bukur, është qyteti ku jam rritur, ku frymëzimi më vjen natyrshëm, nuk e kam vështirë për ta pikturuar, frymëzimin e gjej në çdo cep të saj. Sfida më e madhe në këtë pikturë ka qenë se ka aq elemente sa e kam pasur të vështirë të përcaktohem në një element. Kështu vendosa t’i sjell të gjitha në një harmoni: Drinin, urat, zambakët e ujit, mjellmat, liqenin, etj. Secilën pikturë e kam punuar me shumë pasion, kështu të gjitha bashkë bëjnë një tërësi dhe e kam të vështirë të ndaj njërën nga tjetra”, tha Mustafa.
Mustafa tutje shtoi se njeriu ka një lidhje të fortë me natyrën dhe se një ekspozitë mund të ndikojë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e një shoqërie.
“Njeriu ka një lidhje të fortë me natyrën dhe një ekspozitë mund të ndikojë shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e një shoqërie. Ka shumë ekspozita që bëhen enkas për këtë çështje. Pikturimi i peizazhit nga artistët shqiptarë për mendimin tim është shumë i veçantë dhe i bukur. Unë njoh shumë artistë që e pikturojnë natyrën me shumë pasion dhe në mënyrë të përkryer si p.sh. artisti nga Tetova Abdi Bajrami, Sadik Kasa dhe Pashk Pervathi”, tha Mustafa.