Siljanovska Davkova: Nga Matarela kërkova garanci për eurointegrimet

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot në Romë në takimin me kolegun e tij italian Serxho Matarela ka kërkuar garanci për ardhmërinë evropiane të vendit, njofton Portalb.mk.

“Kërkova bfa presidenti italian dhe nga Italia që të ndihmojë në rrugën e mëtejme rreth dhënies së garancive për ardhmërinë tonë politike evropiane, pas çka ai u përgjigj se është i përgatitur të qëndrojë pas nesh kuptohet edhe në kërkesën e zgjidhjeve me fqinjët”, deklaroi Siljanovska Davkova.

Siç informojnë nga Kabineti i saj, Siljanovska Davkova e ka vlerësuar si të frytshëm dhe konstruktiv takimin me Matarelën. Në të kanë biseduar për bashkëpunimin e gjithanshëm në periudhë prej 30 vitesh, jo vetëm me ne, por edhe me gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Presidenti tha se Italia do të vazhdojë ta mbështesë rajonin, të na mbështesë neve, në çdo pikëpamje, jo vetëm në eurointegrimet, por edhe në ekonomi, arsim, kulturë, mbrojtje, madje edhe anëtarësimin italian dhe të tonë në organizatat ndërkombëtare”, tha Siljanovska Davkova.

Kjo është vizita e parë zyrtare jashtë shtetit e presidentes Siljanovska Davkova pas fitores në zgjedhjet presidenciale më 8 maj.

Reagimet për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është e një rëndësie të madhe, pasi menjëherë pas arritjes së saj Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s.

Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate anëtarësimi në BE që nga viti 2005. Por fillimi i bisedimeve të anëtarësimit u shty për shkak të konfliktit të emrit me Greqinë. Në vitin 2017 socialdemokratët qeverisës arritën një marrëveshje me Greqinë për ndryshimin e emrit, që në vitin 2019 edhe u zbatua. Athina këmbënguli për ndryshimin e emrit Maqedoni, pasi një rajon në veri të Greqisë mban po këtë emër. Ndryshimi i emrit në Maqedoni e Veriut solli edhe anëtarësimin e vendit në NATO dhe me këtë edhe hapjen e rrugës për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit.