Siguria e fëmijëve në pikëpyetje, qentë endacakë shëtitën lirshëm në oborrin e çerdhes në Tetovë (Video)

Në oborrin e çerdhes ‘Rinia’ në Tetovë te objekti afër fabrikës së Teteksit qentë endacakë futen lirshëm duke kërcënuar sigurinë publike. Kjo për shkak se objekti nuk është i rrethuar plotësisht. Drejtoresha arsyetohet se nuk mund ta rrethojnë të gjithë hapsirën, pasi njëra pjesë është pronë private, shkruan Portalb.mk.

Siç edhe mund të shihet në video, tufa e qenve futet në oborr dhe lëvizin lirshëm aty.

Lidhur me këtë problem, Portalb.mk kontaktoi drejtoreshën e çerdhes, Fatlinda Jaja e cila ishte e njoftuar me problemin. Ajo thotë se objektin nuk mund ta rrethojnë në tërësi sepse një pjesë është pronë private

“Nga ana e institucionit i kemi marrë të gjitha masat, nga ana e prindërve është kërkuar që të mos hyjnë me vetura, veturat kanë ndalesë, mirëpo nga ana e prindërve nuk respektohet dhe dera është e hapur. Objekti të rrethohet i gjithi nga kopshti jonë një pjesë është pronë private dhe atë pjesë ata nuk e kanë rrethuar kështu që, objekti ka disa hyrje dhe nuk mund të sigurohet plotësisht, ku është i kopshtit atje është rrethakuar i gjithë objekti. Apelojmë që prindërit mos të hynë me vetura, dhe kur t’i shohin dyert haur t’i mbyllin”, tha Jaja.

Ndryshe, qentë endacakë mbeten problem i pazgjidhur i qytetit. Ndonëse ata u kushtojnë qytetarëve miliona denarë për trajtim, të njëjtët shëtitën lirshëm rrugëve të qytetit duke vënë në rrezik sigurinë publike.

Në katër vitet e fundit, sipas të dhënave nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë janë regjistruar rreth 300 raste të kafshimit të qenve endacakë. Megjithatë ky numër mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjithë qytetarët i kanë paraqitur rastet në polici.