Si të lirohet Maqedonia e Veriut nga qymyri deri në vitin 2050?

Një grup i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë këtu edhe CEE Bankwatch Network dhe Eko-Svest, po i bëjnë thirrje Komisionit Evropian ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut të lirohet nga qymyri, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.

Ata kërkojnë nga KE-ja që ta rrisë mbështetjen për një tranzicion të drejtë të komuniteteve të varura nga qymyri në Ballkanin Perëndimor, për të mundësuar një tranzicion të drejtë drejt një ekonomie e cila nuk është e varur nga lëndët djegëse fosile.

Në këtë drejtim theksohen hapa konkretë që duhet t’i ndërmarrë Komisioni Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare për ta përshpejtuar tranzicionin e drejtë dhe për të mundësuar diversifikim ekonomik lokal, duke siguruar që nevojat e qytetarëve do të plotësohen dhe që nuk do të anashkalohet asnjë person.

Maqedonia e Veriut ka për qëllim që të lirohet nga përdorimi i qymyrit për nevojat energjetike deri në vitin 2050, duke respektuar afatet e BE-së për kalim në burime të rinovueshme të energjisë.

Rekomandime për tranzicion të shpejtë energjetik

Nevena Smilevska, koordinatore për tranzicion të drejtë për Ballkanin Perëndimor, CEE Bankwatch Network, thotë se qëllimi i rekomandimeve është që të sigurojnë që autoritetet lokale të jenë të përgatitura dhe do i kenë burimet e nevojshme për planifikim. Në këtë mënyrë, komuniteteve të varura nga qymyri, në vend që të lihen që të kujdesen vetë për veten e tyre ose të mbesin prapa, do t’u mundësohet të përparojnë edhe vetë në procesin e shpejtë të tranzicionit energjetik.

“Rekomandimet theksojnë nevojën për financim të synuar për projektet në nivel komunal, sepse autoritetet lokale shpesh nuk kanë burime të mjaftueshme për ta planifikuar vetë procesin e tranzicionit në atë mënyrë që do të mundësojë që ai të jetë i drejtë për të gjithë qytetarët në komunë, e nuk kanë fonde as për t’i realizuar këto plane. Mjetet e specializuara financiare për inkurajimin e diversifikimit ekonomik dhe krijimin e pilot projekteve të vogla mund të ndihmojnë në demonstrimin e mundësive që i ofron e ardhmja pa lëndë djegëse fosile. Për të siguruar llogaridhënie dhe efektivitet, financimi duhet të jetë i kushtëzuar me përforcimin e vetëqeverisjes lokale dhe monitorimin e transparencës së të gjitha proceseve që kanë të bëjnë me tranzicionin energjetik dhe të drejtë”, thuhet në rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile.

Javën e kaluar rekomandime të ngjashme u prezantuan në një manifest të nënshkruar nga gjashtë kryetarë të komunave të varura nga qymyri në Ballkanin Perëndimor. Kryetarët e komunave i bëjnë thirrje Komisionit Evropian që t’i të mbështesë në përpjekjet e tyre për ta dekarbonizuar ekonominë lokale përmes rritjes së ndihmës teknike, duke promovuar histori suksesi dhe duke lehtësuar partneritete më të fuqishme me rajone në BE që kanë qenë ose janë ende të varura nga qymyri.

“I bëjmë thirrje Komisionit që ta vërtetojë përkushtimin e tij ndaj rajoneve në Maqedoni që janë të varura nga qymyri dhe ta ofrojë mbështetjen e nevojshme për një tranzicion energjetik të drejtë dhe efikas” thotë Elena Nikollovska, koordinatore e programit për klimën në Shoqatën për Hulumtime dhe Informim për Mjedisin Jetësor Eko-Svest Shkup.

Si të lirohet RMV-ja nga qymyri deri në vitin 2050?

Sipas ministrit të mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Izet Mexhiti, lirimi i vendit nga qymyri deri në vitin 2050 kërkon një mbështetje të fuqishme financiare dhe teknike. Këtë vlerësim ai e bëri në një konferencë që u mbajt në Uashington në muajin shtator mbi sigurinë energjetike të Evropës Qendrore dhe Lindore.

“Duke e pasur parasysh pozicionin strategjik të Maqedonisë së Veriut në Ballkan, si dhe ndikimin e luftës në Ukrainë dhe ndikimin rus, dua ta theksoj nevojën për një përfshirje më të madhe të SHBA-së dhe BE-së. Kjo mbështetje është e një rëndësie jetike për të siguruar pavarësi energjetike dhe për ta zvogëluar ndikimin rus në rajon”, tha Mexhiti.

Në vitin 2018 Kombet e Bashkuara e përmendën Shkupin si qytetin më të ndotur në Evropë dhe vendi ka punuar për ta zëvendësuar qymyrin me energji të pastër. Por në vitin 2021, Maqedonia e Veriut e rihapi termocentralin e vjetër në Osllomej për ta zvogëluar importin e energjisë elektrike.

Maqedonia e Veriut iu bashkua Lidhjes për energji pa qymyr në vitin 2021. Pas planifikimit fillestar për heqjen e qymyrit në vitin 2027, afati më pas u shty deri në muajin janar të vitit 2030. Qymyri në Maqedoninë e Veriut përbën 40 përqind të burimeve të energjisë.

Banka Botërore në Raportin për Ndryshimet Klimatike dhe Zhvillimin e Vendit (CCDR) së fundi theksoi se në dekadën e ardhshme Maqedonisë së Veriut do t’i nevojiten gjithsej 6,4 miliardë dollarë për ta përforcuar qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, për mbrojtje efikase të njerëzve dhe pronës.

Maqedonia e Veriut mund të bëhet një vend me emetime neto zero nëse investon 5,6 miliardë dollarë deri në vitin 2050 në dekarbonizimin e energjisë, industrinë e transportit dhe sektorin e ndërtimit. Por në mungesë të investimeve për adaptim Maqedonia e Veriut deri në vitin 2050 për shkak të ndryshimeve klimatike mund të përballet me një humbje ekonomike deri në katër përqind të prodhimit vendor bruto (PVB).